/ATSH/ Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku foli për përgatitjen mbi zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE.
Mazi tha se, viti që lamë pas nuk ka qenë mjaft i mirë, sa i përket proceseve integruese për rajonin.
“Viti që lamë pas nuk ka qenë mjaft i mirë dhe duhet të jemi fare të çiltër në këtë Këshill. E para, Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk iu hapën negociatat, për mes Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Kosovës nuk iu liberalizuan vizat. Mali i Zi kaloi në një krizë qeveritare serioze deri sa ditët e fundit ra edhe qeveria. Bosnja është në një konflikt politik më i madhi që nga marrëveshja e Dejtonit. Ndërsa Serbia përfitoi hapjen e klasterit të katërt, pasi bëri disa reforma të vogla Kushtetuese, mbi të cilat ekspertët mendojnë se do të ngelen më shumë në letër se sa do të bëhen realitet”, tha ai.
Mazi theksoi se, grupit negociator i është shtuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Administratës Publike, për shkak të rëndësisë që ka reforma në administratën publike dhe në procesin e integrimit
Mazi tha se, “gjatë muajit dhjetor të vitit 2021, është kryer një rikonfigurim i grupit negociator me anë të amendimit të VKM-së 422 datë 6.5.2020. Ky rikonfigurim synoi forcimin e mëtejshëm të strukturave tona për të qenë edhe më të përgatitur për procesin e vështirë dhe të gjatë të negociatave të anëtarësimit”.
“Aktualisht grupi negociator mbulon 33 kapituj dhe 2 kritere, atë politik dhe ekonomik. Ky grup përbëhet nga 23 negociatorë dhe është organi përgjegjës për zhvillimin e procesit teknik të negociatave të aderimit me institucionet e Bashkimit Evropian për çdo kapitull të acquis”, theksoi Mazi.
“Vendimi i sipërcituar i Këshillit të Ministrave përditësoi përbërjen e ekipit negociator për disa kapituj negociues, si dhe ndër të tjera shtoi në listën e negociatorëve edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Departamentit të Administratës Publike, duke marrë parasysh rëndësinë e reformës në administratën publike për ecurinë e negociatave. Ndryshimet në fjalë janë kryer edhe në prizmin e shpërndarjes sa më të mirë të ngarkesës tek negociatorët”, theksoi Mazi.
“Gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm vizitash në kryeqytetet evropiane, për të lobuar për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, bazuar në arritje të merituara dhe të njohura, jo vetëm nga Komisioni Evropian, po edhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, u shpreh ai.
“Zyra ime ka vijuar të drejtojë në tërësi strukturën negociatore, lidhur me koordinimin e procesit të stabilizim-asocimit dhe të përgatitjes për negociatat e anëtarësimit, si dhe duke marrë pjesë rregullisht dhe raportuar për ecurinë e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe në përgatitjen për hapjen faktike të negociatave të anëtarësimit”, u shpreh Mazi.
“Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet dhe strukturat e shërbimit të Komisionit Evropian janë ndjekur dhe adresuar te gjithë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizimi-Asociimit, si dhe është realizuar bashkë-kryesimi dhe raportimi në të gjitha Komitetet dhe nën-Komitetet BE-Shqipëri, plot 7 Nënkomitete të zhvilluara në vitin 2021. Përgatitja ka qene relativisht e mirë, por duhet bërë më shumë. Gjithashtu, dua të vë në dukje se nga marrja e detyrës unë dorëzoj raportime të rregullta javore për Këshillin e Ministrave (68) dhe raporte tremujore për Këshillin Kombëtarë të Integrimit Evropian (5)”, shtoi Mazi.
Nga ana tjetër, nënvizoi Mazi, “të gjitha grupet ndërinstitucionale të punës po punojnë për t’u përgatitur mbi procesin e shqyrtimit analitik të acquis që do të kryhet nga Komisioni Evropian menjëherë pas Konferencës së parë Ndërqeveritare”.
“Nga një analizë që kemi kryer, bazuar në rezultatet e ushtrimit të parë screening, zhvilluar me Komisionin përgjatë viteve 2018-2019, por edhe në kuadër të analizave të mangësive ligjore dhe institucionale/administrative, janë rreth 3054 akte për tu përafruar me acquis e BE-së, ndërkohë që janë ngritur 33 GNPIE me 111 Nëngrupe respektivisht. Numri i punonjësve të administratës shtetërore të përfshirë në këto GNPIE arrin rreth 1561 anëtarë. Nga këto anëtarë natyrisht që disa marrin pjesë në më shumë se një grup ndërinstitucional, por ky është numri i anëtarëve përbërës”, u shpreh ai.
“Sikurse tashmë njihet gjerësisht, acquis i BE është voluminoz, kompleks dhe për me tepër një objektiv në lëvizje, jo i ngurtë, ndërkohë që proceset e përafrimit dhe ndjekjes së detyrave të lëna nga KE në formën e rekomandimeve kërkojnë një koordinim dhe partneritet të përkryer, me të gjithë aktorët e përfshirë, por sidomos me grupin negociator”, tha Mazi.
“Po në këtë kuadër, trajnimi i vazhdueshëm dhe rritja e kapaciteteve të punonjësve të administratës publike ka qenë dhe mbetet një prioritet i vazhdueshëm. Për këtë qëllim, gjatë kësaj periudhe janë kryer trajnime intensive të cilat do vijojnë edhe përgjatë vitit 2022. Këto trajnime zhvillohen në bazë kapitulli dhe ofrohen kryesisht nga ASPA por edhe nga asistenca teknike pranë ministrive/institucioneve nëpërmjet fondeve IPA apo donatorëve të tjerë. Vetëm Shkolla e Administrates Publike për procesin e integrimit ka zhvilluar trajnime të larmishme”, theksoi Mazi.
“Gjatë kësaj periudhe ka vijuar gjithashtu edhe monitorimi i ngritjes së strukturës së Platformës së Partneritetit, në dy nivelet e saj të përfaqësimit, Bordin Drejtues dhe 33 tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit në kuadër të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian”, u shpreh ai.
“Në bazë të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 113, datë 30.08.2019, “Për format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën e institucionale të Platformës së Partneritetit për integrimin evropian”, Tryezat e diskutimit që ngrihen për 33 kapitujt, i hapin rrugën ngritjes së Bordit Drejtues të Platformës së Partneritetit, ku përveç anëtarëve të përcaktuar me Urdhrin e Kryeministrit nr. 113, datë 30.08.2019, do ketë në përbërje të tij dhe 10 anëtarë të propozuar dhe votuar nga 33 tryezat e diskutimit të ngritura për secilin kapitull negociues”, tha Mazi.
“Në zbatim të procesit të institucionalizimit të Tryezave të Diskutimit dhe Këshillimit, që nga fillimi i procesit janë ngritur tryezat për 15 kapituj negociues”, theksoi më tej Mazi.
Ai shtoi se, “gjatë vitit 2020 janë ngritur dhe funksionojnë Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, kapitullin 18 “Statistikat”, kapitullin 22 “Politikat rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, kapitullin 25 “Shkenca dhe kërkimi shkencor” dhe kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura”, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, u themeluan Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit për 4 kapituj, respektivisht: Më 24-25 qershor 2021, u themeluan Tryezat e Këshillimit dhe Diskutimit për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28, të cilët koordinohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Në periudhën korrik-shtator 2021 u themeluan Tryezat edhe për kapitujt negociues: përkatësisht Tryeza e Kapitullit 6 “Legjislacioni për shoqëritë tregtare”, Tryeza e Kapitullit 7 “E drejta e pronësisë intelektuale”; Tryeza e Kapitullit 16 “Tatimet”; Tryeza e Kapitullit 29 “Doganat”; Tryeza e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, Tryeza e Kapitullit 32 “Kontrolli financiar””.
“Në periudhën në vijim, zyra ime, por edhe dhe ekipi negociator së bashku me ministritë dhe institucionet lider të grupeve ndërinstitucionale të punës, do punojnë për një përfshirje sa më aktive në procesin e konsultimit. Dua të theksoj gjithashtu, se në raportimet javore, kemi përfshirë një seksion të veçantë që ka të bëjë me përditësimet mbi ngritjen dhe funksionimin të këtyre Tryezave. Është konstatuar, për disa kapituj specifik, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga institucionet përgjegjëse, kemi vënë re që nuk ka pasur interes të lartë për t’u përfshirë në këtë proces”, tha Mazi.
Nga ana tjetër, shtoi kryenegociatori Mazi, “ndihet nevoja për një përfshirje më aktive nga shoqëria civile, shoqatat e biznesit, akademikë, pushteti lokal, etj. Ata është e nevojshme të jenë aktivë, të bashkëpunojnë më gjerë e me ngushte me institucionet shqiptare, veçanërisht përmes Platformave të Partneritetit për Integrimin Evropian. Duhet të marrin një rol më proaktiv e të përfshihen më shumë për çështjet e integrimit dhe negociatat e anëtarësimit”.
“Ky është një proces tepër sfidues, ndaj është jetike të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, ku secili nga aktorët qoftë shtetëror apo jo-shtetërorë të kontribuojë në fushën e përgjegjësisë apo të ekspertizës të provuar të tyre. Këtu shënoj se integrimi është prerogative qeveritare par excellence. Thelbi është tek përgjegjësia dhe llogaridhënia! Gjithashtu, theksoj se nevojitet durim strategjik me qëllim përmbushjen e detyrimeve që kemi ndaj BE-së, por edhe fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe resurseve për rezultate të qenësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian”.
Sa i përket kuadrit negociues për Shqipërinë, Mazi u shpreh se, “sot pritet miratimi i kuadrit negociues të BE-së për Shqipërinë. Unë kam pasur komunikime të ngushta me një numër prej ambasadorëve të vendeve të Unionit në Bruksel, gjatë gjithë procesit të përpunimit të këtij kuadri. Njoftoj Këshillin se të 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë. Është mbyllur diskutimi i saj. Ka mbetur miratimi formal. Sepse po të miratohet formalisht, çka disa vende të Unionit nuk e këshillojnë, nuk mundet më Unioni, Këshilli, të mos miratojë datën e Konferencës së Parë. Pra janë të dyja të lidhura. Por për ne është mbyllur. Të gjithë janë dakord. Ne e kemi përgatitur kuadrin tonë negociues për Konferencën e Parë ndërqeveritare. Ky dokument ka kaluar përmes konsultimesh të gjata, midis grupit tim, midis MEPJ, dhe grupit negociator në tërësi. Ky dokument është pothuajse gati”.
Sa i përket qëndrimit të Presidencës franceze të BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Mazi u shpreh se, “qëndrimi i Presidencës franceze është ky. Është e shkruajtur dhe ministri i Jashtëm i Francës e raportoi në Parlamentin Evropian. Në qershor të mbahen Konferencat Ndërqeveritare edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në vartësi të zhvillimeve. Kjo në vartësi të zhvillimeve, a është për ne, a është për Maqedoninë e Veriut nuk e dimë ende. Por është e shkruajtur”.
Mazi theksoi se, “situata aktuale sot nuk është shumë premtuese, pavarësisht shenjave për një ecuri të shpejtë. Ndërkohë që kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut flet për një mbyllje të negociatave dypalëshe me Bullgarinë për 4-5 muaj, Presidenti i Bullgarisë thotë nuk është çështje muajsh, por çështje e bërjes të punëve siç duhet realisht”.

























