ATSH/ – ”Adoleshentët mbrojnë më të vegjlit. Ata i përqafojnë fort kur vetmia dhe frika bëhen një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur”, shkruan Matteo Guidelli për gazetën e njohur italiane ”Corriere della Sera”.
”Disa prej tyre papritmas shpërthejnë në lot duke luajtur apo duke ngrënë. Shumë, pothuajse të gjithë, i kanë sytë plot trishtim. Në Ukrainë, ka 100 000 fëmijë pa prindër që jetojnë në mbi 600 institucione në të gjithë vendin dhe kjo ose sepse nënat dhe baballarët vdiqën ose sepse ata i kanë braktisur pasi janë shumë të varfër për t’i mbështetur.
Duke qenë se lufta ka pushtuar shtëpitë e tyre, duke qenë se tingujt janë ato të sirenave të alarmit, një korridor është krijuar për t’i çuar ata drejt sigurisë së plotë. Polonia është vendi i parë i pritjes për jetimët.
Është ngritur një qendër nga qeveria dhe Caritas-i në Stalowa Wola, një qytet një orë e gjysmë larg Lublinit.
Ata e kanë quajtur atë ”qendër lehtësimi”, pasi fëmijët mbërrijnë të lodhur dhe të uritur pas orëve ose, shpesh, ditëve të udhëtimit. Ata regjistrohen dhe pas një kohe të shkurtër dërgohen në ambiente më të vogla në të gjithë vendin.
“Tashmë janë bërë disa evakuime – thotë Monika Figiel, nga Caritas – një tren me 200 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre është larguar nga Kievi. Një i rritur për çdo gjashtë fëmijë i shoqëron ata. Ishte një udhëtim i vështirë”.
Të vegjlit tani janë të sigurt në rajonin e Opoles. Një nga këto qendra menaxhohet nga fondacioni ”Happy Kids”, që, në ditën e dymbëdhjetë të luftës, ka nxjerrë 1 000 fëmijë nga Kharkivi, Chersoni dhe Odesa.
Rreth 700 të tjerë janë në qendrën e konferencave në Rawa Mazowieka.
Të paktën 90 të tjerë, shumë të vegjël, mbërritën në Przemysl me tren orët e fundit.
”Ata janë shumë të lodhur dhe i nënshtrohen një traume të dyfishtë, atë të braktisjes dhe atë të luftës”, thotë Ewa Tetianiec.
”Grupet e para që erdhën ishin në kushte më të mira, sepse vinin nga qytetet perëndimore ku ende nuk ka mbërritur konflikti. Ata që mbërrijnë këto ditë, nga ana tjetër, kanë parë tmerre me sytë e tyre”, thekson ajo.
OJQ-ja postoi një video të shkurtër të fëmijëve në bordin e autobusit që i mori me vete. Ata përshëndesin me një buzëqeshje.
“Ishte e vështirë, pothuajse tre orë pa gjumë, por ia vlente. Fëmijët janë të sigurt. E bukura është që mbështesin njëri-tjetrin. Me të rriturit përqafohen me më të vegjlit. Por, në realitet, këta te fundit janë ata që janë më mirë se nuk kuptojnë shumë. Më të rriturit janë shumë nervozë dhe të vështirë”, shton Ewa.
Njëqind veta mbërritën nga Lugansk, zemra e republikave separatiste. Për këtë u kujdes shoqata ”Sos wioski Dzieciece” që do të thotë fshati i fëmijëve.
“Ata dolën vetëm për të marrë pak ajër, por kaluan pesë ditë të mbyllur në bunkerë. Kur erdhi koha për t’u larguar, ata ia mbathën nën bomba. Përveç tmerrit të tyre ishte dhe ai i shoqëruesve pasi kishin frikë se mos i humbnin. U deshën 30 orë për të arritur në Varshavë”, shpjegon zëdhënësja, Anna Choszcz-Sendrowska.
“Në shikim të parë nuk u duket trauma, por është e dukshme që janë të traumatizuar. I sheh duke luajtur e duke bërë shaka… por, ndërsa luajnë ndonjëri shpërthen në lot nga hiçi dhe pastaj papritmas qetësohet. Trauma është si një plagë, mund ta shërosh në të gjitha mënyrat, me dashuri dhe me mirësi. Por, një ditë plaga rihapet”, shton Anna.
Për të kuptuar se çfarë janë këto plagë apo se sa shumë dhembin, duhet të shihni projektin që dy studente dhe fotografe, Paulina Byczek dhe Klaudia Kopczynska, bënë në stacionin e Varshavës: quhet ”Sloneczka” dhe do të thotë ”diej të vegjël”. Ato u kërkuan fëmijëve të shprehin emocionet e tyre me vizatime. Dolën zemra, ylberë dhe flamuj ukrainas. Por, edhe tanke dhe bomba.
Pastaj janë edhe komentet. Ato të secilit fëmijë. “Dua të bëhem mjek”; “Dua të kem një Lamborghini”. Dhe ato që fëmijët nuk duhet t’i dinë: “Dua që babi të jetë pranë meje”; “Unë dua paqe”.
Umidi, 6 vjeç, ka projektuar shtëpinë dhe shkollën. Më pas ai shkruan: “Dua të bëhem ushtar, mos më vrit, nuk dua të vdes”. Paulina na tregon se e ka mahnitur veçanërisht vizatimi i Evelinës, tetë vjeçe.
“Ajo vizatoi dy buzëqeshje që do të ishin fytyra e Putinit dhe flamuri ukrainas: pastaj shkoi për të mbështetur nënën e saj që qante shumë. Ishte ajo që e përqafoi dhe i thau lotët”, thonë ato.
Shumë prej tyre dukeshin qartësisht të traumatizuar, të tjerë thjesht të trembur, të tjerë mbanin kokën në duar sikur të mos dëgjonin, të tjerët vrapojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Në Instagram Paulina vendosi vizatimet dhe shkroi diçka shumë të vërtetë: ”Në këtë moment mund të jenë ata që na tregojnë rrugën. Fëmijët e vendosin dritën atje ku nuk shikojmë, sepse kemi frikë ose harrojmë. Mbi të gjitha le t’i largojmë nga lufta”./ a.jor.



























