Qeverisja lokale ndesh një sërë problematikash në ushtrimin e funksioneve, ofrimin e shërbimeve lokale si dhe në përmirësimin e indikatorëve të mirëqeverisjes. Këto kanë qenë vite tejet të vështira për nga pikëpamja e politikëbërjes, duke nxjerrë në pah simptomat akute të qeverisjes lokale, të cilat ndikuan në një masë të madhe grupet më vulnerabël të shoqërisë dhe treguan se NJQV dhe qytetarët janë të papërgatitur për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive, sepse sistemet e paralajmërimit të hershëm nuk ekzistojnë dhe informimi e ndërgjegjësimi qytetar mbeten në nivele të ulëta.
Ekspozimi fizik i njerëzve dhe aseteve, praktikat jo të rregullta dhe të qëndrueshme të zhvillimit lokal, si dhe mungesa e standardeve në planifikim dhe përdorim të territorit nga qeverisja lokale dhe qytetarët, kanë rritur praktikisht ekspozimin e tyre ndaj risqeve natyrore (PDNA 2020).
Edhe pse shumica e bashkive në nivel kombëtar deklarojnë se i kanë planet e emergjencave për të reaguar në rast katastrofash natyrore, ato lidhen përgjithësisht me elemente të vjetra dhe ka nevojë për një qasje ndaj kontributit qytetar në manaxhimin e këtyre emergjencave (LGM 2020).
Përvojat e viteve të fundit me situatat e njëpasnjëshme të emergjencave civile, si tërmeti i Nëntorit 2019, pandemia Covid-19 në fillim të 2020, përmbytjet në fund të 2020 dhe situata e zjarreve në vitin 2021, kanë theksuar vëmendjen ndaj nivelit të lartë të riskut të fatkeqësive natyrore që ka Shqipëria si dhe ndikimit ekonomik e shoqëror, që vjen për shkak të humbjeve dhe dëmtimeve nga katastrofat natyrore. Nga ana tjetër, përgjatë kohës, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë kanë identifikuar mangësi të shumta në fushën e Mbrojtjes Civile në nivel kombëtar, duke theksuar nevojën e ngritjes së një Sistemi të Mbrojtjes Civile, që nis pashmangmërisht me një forcim të kapaciteteve të NJQV-ve dhe kontribut aktiv të qytetarëve.
Nisur nga sa më sipër, Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) dhe TjetërVizion, me mbështetjen e LevizAlbania (LA), kanë zbatuar projektin inovativ “Qeverisja lokale në kohë normale dhe emergjencash: Me qytetarët dhe për qytetarët”. I gjithë zbatimi i projektit dhe produktet e realizuara prej tij i janë referuar Ligjit 45/2019 ‘’Për Mbrojtjen Civile’’, bazuar mbi parimet e Mbrojtjes Civile Europiane dhe ato të Kuadrit Senday, e gjithashtu mbi konceptin e subsidiaritetit. Ky koncept fillon pikërisht nga qytetarët si kontributorë të drejtpërdrejtë kryesisht në përmirësimin e politikëbërjes lokale në përgjigje të sfidave komplekse të reduktimit dhe përballimit të risqeve natyrore dhe emergjencave.
Udhëzuesi i prodhuar nga projekti propozon një ndërhyrje me instrumente të politikëbërjes lokale, me synim: (a) rritjen e kapaciteteve dhe nivelit të përgatitjes së NJQV-ve për identifikimin dhe reduktimin e rreziqeve; (b) forcimin e strukturave të krijuara në to për funksionin e Mbrojtjes Civile, mbështetur nga dokumente planifikues e strategjikë të përmirësuar; (c) rritjen e burimeve të financimit, investimeve parandaluese, burimeve njerëzore dhe mjeteve të tjera teknike, në mbështetje të sfidave përpara bashkive, si dhe (d) avancimin në çështje të tjera, të tilla si vullnetarizmi, bashkëpunimi ndërmjet bashkive apo prefekturave si dhe koordinimi me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në raste të situatave të emergjencës, identifikimit dhe adresimit të nevojave si rezultat i tyre.
Futja dhe zhvillimi i mëtejshëm i këtyre instrumenteve, do të mundësojnë hedhjen e hapave të para e konkrete të NJQV-ve drejt rrugës së standardizimit të Mbrojtjes Civile vendore, duke forcuar kapacitete njerëzore e koordinuese, por mbi të gjitha duke përhapur konceptin e Mbrojtjes Civile si një “sistem” – i tëri i përbërë nga strukturat përkatëse operacionale, por dhe edukative, sipas fushës së përgjegjësisë, në të gjitha nivelet qeverisëse.
Në veçanti, koncepti planifikues e parandalues i Mbrojtjes Civile me fokus “qytetarin”, kërkon domosdoshmërisht informimin qytetar me fokus te grupet vulnerabël përmes fushatave sensibilizuese, por mbi të gjitha nxitjen e vullnetarizmit dhe eficiencës së tij sipas nevojave, nisur nga praktika e krijimit të Grupit Monitorues Lokal, të kapacituar nga ky projekt.
Përgjatë gjithë zbatimit të projektit, në mënyrë të vazhduar, janë përfshirë dhe konsultuar stafet teknike të institucioneve lokale dhe AKMC, si institucioni qëndror në këtë fushë, por gjithashtu qytetarët aktivë në nivel qarku. Qëllimi i aktivitetit përmbyllës të projektit ka qenë ndarja e rezultateve të arritura nga projekti, por mbi të gjitha thellimi i një diskutimi konstruktiv midis institucioneve politikëbërëse qëndrore e lokale, duke ndarë arritjet aktuale, planet konkrete, si edhe vështirësitë dhe sfidat kryesore që ato do të duhet të adresojnë në kohë.