ATSH/ Në Gjakovë, Kosovë me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor u prezantua sot në një ceremoni të veçantë Abetarja e përbashkët unike.
Në këtë aktivitet marrin pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, mësues, nxënës etj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha në fjalën e saj përshëndetëse se ” kjo abetare nuk është thjesht libri i parë më i çmuar, më i paharruar, por kjo abetare do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë dhe do të forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin”.
“Kjo ditë do të mbahet mend gjatë në kujtesën tonë , jo thjesht dita e parë e vitit të ri të shkollor këtu në Kosovë, por si dita ku të gjithë vogëlushët tanë në Shqipëri dhe Kosovë, kudo, mësojnë me të njëjtin tekst të abetares gjuhën tonë të bukur shqipe”, nënvizoi Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan kur e morëm këtë angazhim për abetaren e përbashkët unikë shumë njerëz ishin skeptikë, nuk e besonin që ne vetëm në 8 muaj do të realizonim këtë nismë jo thjesht një abetare të re, por shumë herë më cilësore, por që reflekton më së miri zhvillimet arsimore, sociale madje edhe digjitale. Kur ka vullnet, bashkëpunim, dashuri asgjë nuk është e pamundur”.
“Edhe Faik Konica e ka thënë që në vitin 1906 e vetmja lidhje që i ka mbajtur të bashkuar shqiptarët ka qenë gjuha shqipe. Unë kam lindur dhe jetoj në Elbasan dhe për ne nuk ka krenari më të madhe se sa arsimi, gjuha shqipe, shkolla e parë normale, atdhetarët tanë të shquar Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Dhaskal Todri, që madje ishte dëshmori i parë i shkollës shqipe sepse ai krijoi që herët një alfabet me 52 shkronja për të cilin shkoi në Evropë që të prodhonte, derdhte shkronjat dhe të krijonte një shtypshkronjë në gjuhën shqipe. Por rrugës duke e sjellë shtypshkronjën në Elbasan fatkeqësisht e vranë duke u kthyer dëshmori parë i shkollës shqipe”, nënvizoi Kushi.
Ministrja Kushi vuri në dukje se “në 7 mars ditën e mësuesit organizuam në Tiranë një ekspozitë me të gjitha abetaret ndër vite, më shuëm se 100 abetare, plot skafri nga atdhetarët tanë , të parët tanë Sami Frashëri, Luigj Gurakuqi, Naum Veqilharxhi , i cili ndezi edhe vetëdijen kombëtare për një Shqipëri të pavarur e deri së fundmi pas 1944, kur nuk duhet të harrojmë kontributin e Kol Xhumarit, i cili për herë të parë e vuri në baza shkencore abetaren dhe për rreth 60 vite ka qenë autori i vetëm i abetares shqipe”.
“Sot pas kaq shumë vitesh jam shumë krenare që gjuha shqipe mësohet jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e në çdo vend ku ka shqiptarë, por mësohet edhe në universitetet më prestigjioze në botë. Së fundmi gjuha shqipe do të mësohet në universitetin e Harvardit , nëj arritje e jashtëzakonshme që konsolidon pozicionin e gjuhës shqipe mes gjuhëve më të vjetra të botës”, tha Kushi.
Më tej Kushi tha se “sfida për ta ruajtur të pastër gjuhën shqipe, sidomos ne mësuesit e kemi detyrim ndaj brezave dhe ndaj të parëve dhe fëmijëve tanë”.
Duke iu drejtuar mësuesve të arsimit fillor, Kushi u shpreh se “keni privilegjin, por edhe përgjegjësinë që t’i përcillni brez pas brezi, t’i ruani, por edhe t’i mësoni vogëlushëve tanë shkronjat e arta të gjuhës shqipe, Nuk ka mision më të bukur, më fisnik se sa të mësoni mendjet e vogla të mësojnë, të krijojnë dhe zemrat e vogla të duan më shumë”.
Sot në Kosovë ka nisur viti shkollor 2022-2023 dhe të fëmijët e klasës së parë kanë në dorë Abetaren e përbashkët të unifikuar. Nxënësit shqiptarë që hyjnë këtë vit të ri shkollor në klasë të parë do të mësojnë me Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Në dhjetor të 2021 ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për Abetaren e përbashkët.
/k.s/



























