Në Librazhd prej disa ditësh ka nisur puna për ndërtimin e një pike te re grumbullimi që do t’iu vijë në ndihmë rreth 200 fermerëve për të garantuar treg të sigurt për produktet e tyre bujqësore.

 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, investimi po realizohet në kuadër të projektit “Jo drogë! Pikë grumbullimi! Një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet e Librazhdit, që financohet nga BE dhe zbatohet nga MBZHR e bashkia Librazhd.

 

Paralelisht me punimet, vijon edhe trajnimi i fermerëve për njohjen me praktikat më të mira për rritjen e prodhimit dhe të cilësisë së produkteve.

 

Së fundmi, 28 fermerë vreshtarë nga fshatrat Karkavec, Fanjë dhe Qukës janë trajnuar se si mund të mbrojnë dhe trajtojnë hardhitë e rrushit në periudha të ndryshme të vitit.

 

Specialisti i bujqësisë i njohu fermerët me trajtimin më të ri me medikamente në luftimin e sëmundjeve që prekin hardhinë, si dhe trajtoi çështje të shumta lidhur me spërkatjen, plehërimin, krasitjen dimërore apo verore dhe punimin e tokës.

 

Përmes angazhimit të fermerëve, kontratave të shitblerjes dhe certifikimit të produkteve, pika e grumbullimit do të krijojë mundësi për të gjithë banorët për të gjeneruar aktivitete fitimprurëse.

 

Projekti synon gjithashtu të nxisë të rinjtë e zonës që të shfrytëzojnë burimet natyrore, duke shmangur në këtë mënyrë përfshirjen e tyre në aktivitete të paligjshme.atsh