Janë arrestuar 2 policët të cilët akuzohen se ushtruan dhunë ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo. Ngjarja u regjistrua më 15 janar të këtij viti në pikën kufitare të Malit të Zi, teksa në pranga kanë rënë policët e identifikuar si Nikolla Boljeviç dhe Dragan Shqekiç.

Profesor Petraq Milo u dhunua nga efektivët malazezë teksa po priste në radhë me automjet me familjen e tij për të kaluar kufirin me Shqipërinë, ndërsa video u bë publike nga mediat malazeze.

“Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë së Ulqinit, me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Ulqin, kanë arrestuar dy zyrtarë të Drejtorisë së Policisë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës. Dyshohet se veprën penale në fjalë zyrtarët policorë e kanë kryer me datë 15.01.2023 në vendkalimin e përbashkët kufitar Sukobin-Muriçan, duke përdorur forcë të tepruar gjatë ushtrimit të kompetencave zyrtare ndaj shtetasve të huaj dhe do të dërgohen te prokurori kompetent i shtetit për veprime të mëtejeshme”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Për ngjarjen reagoi këtë të mërkurë edhe kryeministri Dritan Abazoviç, i cili tha se Milo nuk ka respektuar rregullat dhe radhën në doganën e Muriqanit.

Ndërkohë Komiteti i Helsinkit dënoi dhunën e ushtruar nga policia malazeze, duke e konsideruar të turpshme dhe të papranueshme, teksa kërkoi edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm malazez, Filip Axhiq.

Lidhur me ngjarjen nuk ka patur asnjë reagim nga autoritetet shqiptare, Partia e Lirisë dhe as nga vetë profesor Milo. Një postim në facebook të pasdites së kësaj të mërkure, Milo ia dedikon kritikave ndaj qeverisë për mbështetjen ekonomike ndaj familjeve në nevojë.

“Mbështetja ekonomike e Qeverisë për familjet më në nevojë në ndihmë ekonomike mbetet e papërfillshme dhe kjo shtresë sociale ndjen shumë e më shumë rritjen e kostos së jetesës. Vetëm një krahasim i nivelit të ndihmës sociale që marrin familjet në ndihmë ekonomike në Shqiperi me ato në Kosovë është një tregues i mos vullnetit politik për të mbeshtetur denjësisht këtë shtresë sociale. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2021, mesatarisht një familje në ndihmë ekonomike ka përfituar 58 Euro në muaj. Ndërsa një familje po në vitin 2021 sipas të dhënave të Agjensisë së Statistikave të Kosovës ka perfitur nga 100 deri 120 mesatarisht Euro në muaj. Përafërsisht një familje në ndihmë ekonomike në Shqipëri përfiton dy herë më pak se një familje në Kosove. Kur në një kohë që buxheti i Shqiperisë është pothuajse dyfish më i larte se buxheti i Kosoves. Në vitin 2021 buxheti i Shqipërisë është rreth 4.9 miliard Euro, ndërsa i Kosovës është rreth 2.5 miliard Euro”, shkruan Milo.

/rtsh.al/