Gledjan Llatja që rikandidon për një mandat të dytë në krye të bashkisë Elbasan në zgjedhjet vendore të 14 majit, shprehu angazhimin e tij për vijimin e projekteve të reja në vepra publike dhe shërbime të përmirësuara për qytetarët e Elbasanit që i japin zhvillim edhe ekonomisë lokale.

“Në këto 4 vite bashkë me ju ne kemi bërë punë të mira për familjet e Elbasanit. Kemi ndërmarrë një sërë mbështetjesh ekonomike sociale duke ua lehtësuar barrën nënave dhe motrave dhe duke nxitur të rinjtë të angazhohen në zhvillimin e sipërmarrjeve të reja”, tha Llatja gjatë një takimi elektoral që u zhvillua në qytetin e Elbasanit, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Edi Rama.

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që kanë gratë në zhvillimin e vendit, ai tha se “në këto vite ne kemi rritur ndjeshëm angazhimin e grave në jetën politike dhe ekonomike të qarkun tonë”.

“Ne po punojmë në vazhdimësi për të përmirësuar jetën e cilësinë e jetës tonë këtu. Për nënat në nevojë ne do të hapim edhe 4 çerdhe të reja për fëmijët e tyre dhe këtë vit hapim çerdhen e parë”, theksoi Llatja.

“Shëtitorja pranë lumit Shkumbin është një nga investimet më të rëndësishme me ndikim në turizëm dhe ekonomi ndërsa synojmë të zhvillojmë infrastrukturën e qytetit edhe me vepra të tjera për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Duam ta shndërrojmë Elbasanin përmes projekteve ambiciozë në një pol të zhvilluar ekonomik dhe social që garanton punë dhe jetë të shëndetshme për brezat me radhë”, theksoi Llatja.