Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi si dhe masën “detyrim paraqitje” për Fatmir Bektashin.

 

 

Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura, Malltezi deklaroi se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.

 

“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”– tha Malltezi, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

 

 

Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo pjesërisht sportive sikurse e përmend akuza. Në dëshminë e siguruar nga Top Channel, Malltezi theksoi se kjo që po i bëhet personit të tij është sulm politik. Ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka marrë për bazë “fotokopje” gjithçka ka thënë akuzatori kryesor në këtë çështje, Taulant Balla.

E gjithë zona nuk ka qenë zonë sportive siç përmend akuza, ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm, i cili pretendonte se kishte të regjistruar shoqëri aksionere KF Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur proces civil dhe gjykata e shfuqizoi KF Partizanin të regjistruar si shoqëri aksionere. SPAK ka marrë fotokopje çfarë ka thënë Taulant Balla. Të gjitha janë akuza politike. Jam i arsimuar, jam prof. doktor. Jetoj në Shqipëri, kam pasur mundësi të largohem. Hetimi po mbahet prej 2020 dhe unë kam qënë në dijeni të këtij procedimi. Nëse doja të largohesha, do largohesha”– u shpreh Malltezi.

 

Nga ana tjetër, pasi u njoh me masën e sigurisë, Bektashi deklaroi se i qëndron përballë drejtësisë sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do e vërtetojë koha.

 

“Unë kam një parim, çfarë do që të ndodhë, dil nga dera kryesore dhe përballu me këdo. Unë e dija që kishte hetim prej 2020. Kam qëndruar këtu të përballem me drejtësinë. S’ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha”- ka deklaruar Bektashi, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

 

Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani.

Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.tch