Depresioni në popullatën shqiptare duket në nivele shqetësuese.

 

Anketimi i fundit ka treguar se 62 ndër 1.000 individë të pyetur janë trajtuar klinikisht të paktën një herë gjatë jetës tyre për këtë diagnozë, një shifër kjo që sipas profesoreshës së psikologjisë në Universitetin Saint Mary në Londër është e krahasueshme me vendet e tjera të Europës.

 

“Në studimin e fundit që kemi bërë, ku janë intervistuar 1.000 qytetarë në Tiranë dhe Elbasan, u raportua se 6,2% kanë qenë të diagnostikuar me depresion gjatë jetës së tyre,” tregon Prof. Asc. Arlinda Cerga Pashoja.

 

Por kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë se kaq, pasi stigma për të kërkuar ndihmë ndaj kësaj sëmundjeje në Shqipëri është në nivelet më të larta se në vendet e tjera.

 

“Stigma është problem kryesor dhe më madhori. Në anketimin e fundit 58% besojnë që personat që vuajnë nga depresioni duhet ta kalojnë vetë dhe duhet të bëhen të fortë dhe nuk kanë nevojë për të shkuar tek një psikiatër. Pra kjo tregon që ngurrimi është i madh për të kërkuar ndihmë.

 

38% e personave të anketuar mendojnë që personat me depresion janë të rrezikshëm. Kjo krijon izolim më të thellë të këtyre personave dhe vështirëson problemet e dikujt që po vuan nga kjo sëmundje,” shton profesoresha e psikologjisë.

 

Ajo që bën perspektivën të zymtë është mungesa e theksuar e mjekëve psikiatër për ta trajtuar këtë diagnozë.

 

“Numri i psikiatërve është shumë i vogël në krahasim me vendet europiane. Mesatarja për 100 mijë banorë në Europë është 17 psikiatër. Në Turqi kemi 6,7 mjekë psikiatër për 100 mijë banorë, Zvicra e ka 52 këtë numër, ndërsa Shqipëria e ka vetëm 1,2 mjekë. Pra është një numër jashtëzakonisht i ulët,” thotë Prof. Pashoja.

 

Struktura më e re, Aleanca kundër Depresionit, do të shërbejë për të njohur shenjat e para dhe për të referuar në kohë individët e prekur nga kjo sëmundje, nga mjekë të familjes, farmacistë, punonjës socialë etj.

 

Gazetare: Sonila Mlloja