Rritja ekonomike e vendit ka zbutur klimën e varfërisë, duke bërë të mundur që shumë familje të kenë më shumë të ardhura në buxhetin e tyre.

 

INSTAT publikoi rezultatet e vitit 2023 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material dhe social në njësitë ekonomike familjare në Shqipëri, sipas së cilës, treguesi është ulur me rreth 5,4%.

 

Sipas INSTAT-it, në vitin 2023, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,7%, duke pësuar një rënie prej 0,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022.

 

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2023 është vlerësuar me 270.565 lekë, në krahasim me 225.931 Lekë që ishte në vitin 2022.

 

“Rreth 545.400 individë në vitin 2023, janë vlerësuar nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 576.316 individë të vlerësuar në vitin 2022, tregues i cili është ulur me rreth 5,4%”, bën të ditur INSTAT.

 

Ulje më të ndjeshme të rrezikut për të qenë të varfër ka grup-mosha 18-64 vjeç.

 

Në vitin 2023, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë kanë pësuar një rritje me 18,1%, krahasuar me vitin 2022.

 

Treguesit kryesorë për monitorimin e varfërisë relative, shpërndarjen e të ardhurave dhe të treguesve të tjerë të nivelit të jetesës bazohen në objektivin e axhendës Europa 2030.

 

Turizmi dhe ndërtimi janë dy sektorët që kanë kontribuar në të ardhurat e qytetarëve.atsh