Shkretëtira e Saharasë, e cila ka një sipërfaqe afërsisht të barabartë me Kinën ose SHBA-në, është një nga rajonet më të thata dhe më të izoluara në planet. Por ajo nuk ishte gjithmonë kështu.

Gjatë një periudhe nga 14,500 deri në 15,000 vjet më parë, Sahara ishte një savanë e harlisur me ujë të bollshëm dhe të mbushur me jetë. Dhe, sipas ADN-së nga eshtrat e dy njerëzve që jetuan 7000 vjet më parë në atë që sot është Libia, ajo ishte gjithashtu shtëpia e një race misterioze njerëzish që jetonin të izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Studiuesit analizuan pjesët kockore të këtyre njerëzve që jetonin në të ashtuquajturën “Sahara e Gjelbër”. Ata morën ADN- në nga eshtrat e dy grave, të varrosura në zonën shkëmbore të Takarkori, në Libinë jugperëndimore. Trupat janë mumifikuar natyrshëm dhe janë trupat më të vjetër njerëzor të mumifikuar deri më sot.

“Në atë kohë, Takarkori ishte një savanë e gjelbër, me një liqen afër, një zonë shumë e ndryshme nga peizazhi i sotëm i shkretëtirës,” tha arkeogjenetisti Johannes Krause nga Instituti Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, një nga autorët e studimit të botuar këtë javë në revistën shkencore Nature.

Gjenomet zbulojnë se populli Takarkori i përkiste një prejardhjeje njerëzore të ndryshme dhe deri tani të panjohur, e cila jetonte veçmas nga popullsitë e tjera në Afrikën nën-Sahariane dhe Euroazinë për mijëra vjet.

“Çuditërisht, populli Takarkori nuk tregon ndikim të rëndësishëm gjenetik nga popullsitë afrikane nën-Sahariane në jug ose grupe njerëzore parahistorike të Lindjes së Afërt dhe evropiane në veri. Kjo sugjeron se ata mbetën të izoluar gjenetikisht, edhe pse praktikonin blegtorinë, një risi kulturore që e kishte origjinën jashtë Afrikës”, tha Krause.

Raca e panjohur njerëzore që jetonte në ‘Saharanë e gjelbër’ 14,000 vjet më parë

Dëshmitë arkeologjike tregojnë se këta njerëz rrisnin kafshë shtëpiake. Ndër objektet e gjetura në zonën arkeologjike ishin vegla prej guri, druri dhe kocke, qeramika, shporta të endura dhe figurina reliev. Paraardhësit e dy grave Takarkori erdhën nga një prejardhje afrikano-veriore që divergonte nga popullsitë afrikane sub-Sahariane rreth 50,000 vjet më parë. Në të njëjtën kohë, hominidët e tjerë filluan të zgjeroheshin në Lindjen e Mesme, Evropë dhe Azi, duke u bërë kështu paraardhësit e të gjithë njerëzve jashtë Afrikës.

Takarkori ishte ndoshta një mbetje e diversitetit gjenetik që Afrika veriore shfaqi 50,000 deri në 20,000 vjet më parë, beson Krause. “Nga 20,000 vjet më parë, provat gjenetike tregojnë një fluks grupesh nga Mesdheu lindor, i ndjekur nga migrimet nga Iberia dhe Siçilia, rreth 8,000 vjet më parë. Por për arsye që nuk i dimë ende, Takarkori mbeti i izoluar për shumë më gjatë sesa do të prisnim. Krause tha se Takarkori mbeti i izoluar për pjesën më të madhe të ekzistencës së tyre, derisa Sahara u bë përsëri e pabanuar.

Anëtarët e species sonë, Homo Sapiens, të cilët u përhapën jashtë Afrikës u takuan dhe u ndërthurën me popullatat e Neandertalit që tashmë jetonin në pjesë të Euroazisë dhe lanë trashëgiminë e tyre gjenetike tek popullsitë jo-afrikane të sotme. Por njerëzit e Saharasë së Gjelbër mbajnë pak gjurmë të ADN-së së Neandertalit, që do të thotë se ata kishin pak kontakt me pjesën tjetër të botës.

Edhe pse Takarkori u zhduk 5000 vjet më parë, kur mbaroi periudha e lagësht afrikane dhe shkretëtira u kthye në Sahara, gjurmët e trashëgimisë së tyre mbeten sot në grupe të ndryshme të Afrikës Veriore, tha Krause. “Trashëgimia e tyre gjenetike ofron një perspektivë të re mbi historinë e thellë të rajonit,” theksoi ai.

Top Channel