Nga: Miranda Sadiku

Në hyrje të qytetit, ullishtat shtrihen si një qilim argjendi, ndërsa në dalje ngrihet krenare Krasta, e njohur si mushkëria e gjelbër e Elbasanit. Pishat e saj, ajri i pastër dhe pamja që shtrihet mbi gjithë qytetin e bëjnë një vend të dashur për këdo që kërkon qetësi, frymëmarrje dhe natyrë. Në mëngjes, qindra qytetarë ngjiten për të bërë ecje, për të thithur ajrin e freskët dhe për të shijuar pamjen e qytetit që shtrihet poshtë, si një hartë e gjallë mes maleve. Ajo është një pikë ku dielli ndriçon më butë dhe çdo hap të çon drejt një historie që përzihet mes legjendës dhe realitetit.
Vend i Mirë, legjenda që ende jeton
Mes pishave dhe shtegut të gjatë, syri ndalon te një cep i veçantë, Vendi i Mirë. Gojëdhëna thotë se dikur aty humbi jetën një ushtar. Që prej asaj kohe, njerëzit kanë besuar se ky vend mban një fuqi të veçantë. Vizitorët ndezin qirinj, lënë dhurata të vogla dhe bëjnë lutje jo vetëm elbasanasit, por edhe njerëz që vijnë nga qytete të tjera. Disa luten për shëndet, të tjerë për fat në punë, e ka nga ata që kërkojnë qetësi shpirtërore.
Hijet e historisë
Krasta mban edhe kujtime të errëta. Gjatë regjimit komunist, një pjesë e saj u bë vend ekzekutimesh masive. Për vite me radhë, kjo plagë e historisë u mbajt heshtur, por nuk u harrua. Sot, aty ku dikur kishte frikë dhe dhimbje, rriten pisha dhe ecin njerëz, sikur natyra e ka marrë përsipër të shërojë plagët e saj.
Nga harresa, te ringjallja
Pas viteve ’90, Krasta mbeti për një kohë pa kujdesin që meritonte. Por vitet e fundit, Bashkia e Elbasanit i ka dhënë një rëndësi të veçantë. Çdo muaj i sezonit të pyllëzimit shoqërohet me mbjellje fidanishte pishash dhe aktivitete mjedisore. Vetë kryetari i bashkisë Gledian Llatja angazhon të rinj e vullnetarë për pastrimin e saj, ndërsa rrugët e shtruara me kthesa janë kthyer në një park kodrinor natyror ku qytetarët ecin, vrapojnë dhe bëjnë çiklizëm.
Zërat e Krastës
Holta, një grua rreth të dyzetave, e ndesh çdo mëngjes duke bërë ecje të shpejtë. “Krasta është palestra ime natyrore,” thotë ajo duke buzëqeshur. “Këtu marr energjinë për gjithë ditën. Ajri është ilaçi më i mirë që mund të marrësh pa recetë.”
Më poshtë, nën hijen e pishave, Agimi ka shtruar një batanije me familjen. Aroma e byrekut të shtëpisë përzihet me erën e rrëshirës. “Këtu gjejmë paqe. Fëmijët luajnë, ne pushojmë, dhe për disa orë harrojmë gjithçka tjetër,” thotë ai.

Në një kthesë të shtegut, dy të rinj, të mbështetur në një gur, shohin horizontin. Janë të dashuruar dhe nuk e fshehin. “Këtu ndjehemi sikur jemi larg nga gjithçka,” thotë ai, ndërsa ajo shton me zë të ulët: “Natyrën e kemi dëshmitare të çdo fjale që i themi njëri-tjetrit.”
Elda, një studente që së shpejti ka provimet, ngjitet me hapa të shpejtë drejt Vendit të Mirë. Ndez një qiri, mbyll sytë dhe lutet. “Ditën e provimit, fjala të më rrjedhë lirshëm dhe mendimet të më vijnë menjëherë.” Për të, ky vend nuk është vetëm traditë, por një pikë ku shpresa merr formë konkrete.
Krasta, një ftesë e hapur
Krasta nuk është thjesht një kodër mbi Elbasan, është një frymëmarrje e përbashkët mes historisë dhe të tashmes. Nga gojëdhënat e Vendit të Mirë, te kujtimet e errëta të pushkatimeve, nga pishat e reja që mbijnë çdo vit falë punës së bashkisë e vullnetarëve, te hapat e qindra qytetarëve që e ngjitin çdo mëngjes, ajo ka ditur të mbajë gjallë shpirtin e saj. Ajo është palestra e Holtës, pikniku i Agimit, foleja e të dashuruarve dhe lutja e heshtur e Eldës përpara provimeve.
Mes aromës së rrëshirës, Krasta të fton gjithmonë të ngjitesh, sepse çdo kthesë e saj ruan një histori, një kujtim dhe një arsye për t’u kthyer. Krasta është kështu, natyrë, histori, mister dhe jetë. Një vend ku Elbasani merr frymë dhe ku çdo vizitë mbart diçka të veçantë.