Kongresi i Elbasanit, i zhvilluar nga data 2 deri më 9 shtator 1909, përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. I njohur si “Kongresi i Shkollave Shqipe”, ai mblodhi në Elbasan 35 përfaqësues nga 28 klube dhe shoqëri patriotike, nga brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, me synimin për të vendosur një strategji kombëtare arsimore në gjuhën shqipe.
Elbasani u përzgjodh jo rastësisht si vendi mikpritës i këtij kongresi, falë rolit të tij historik në lëvizjen kombëtare, traditave arsimore dhe figurave të shquara rilindëse që kishte nxjerrë. Klubet patriotike elbasanase si “Bashkimi”, “Vëllazëria” dhe “Afërdita” përfaqësoheshin nga emra të njohur si Emin Haxhiademi, Taq Buda, Dervish Biçakçiu, Qamil Haxhifeza, Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.
Kongresi mori disa vendime madhore:
– Njohjen dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha shkollat në territorin shqiptar;
– Themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit, si institucioni i parë i arsimit të mesëm në gjuhën shqipe, për përgatitjen e mësuesve;
– Hapjen e shkollave të tjera shqipe në vend dhe mbështetjen e tyre përmes shoqërisë “Përparimi”, që do të krijohej në Korçë;
– Krijimin e një klubi qendror për koordinimin e arsimit – Klubi “Bashkimi” i Manastirit.
Me votim demokratik, Kongresi zgjodhi drejtuesit e tij: Dervish Biçakçiu u zgjodh kryetar me 39 vota, ndërsa Mithat Frashëri u zgjodh nënkryetar me 24 vota. Sekretarë të Kongresit ishin Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.
Punimet e Kongresit patën gjithashtu dhe diskutime të mbyllura mbi temat politike të kohës, si qëndrimi ndaj politikës xhonturke dhe nevoja për organizim të fshehtë në mbrojtje të çështjes shqiptare. Kongresi përfundoi me miratimin e një akti me 15 pika, që përfshinte edhe rregulloren për funksionimin e klubeve patriotike.
Jehoja e Kongresit u ndje gjerësisht. Shtypi vendas dhe ai ndërkombëtar e vlerësuan lart këtë ngjarje historike. Revista “Korça” shkruante: “Ky Kongres është më i vendosuri nga të gjitha”, ndërsa e përkohshmja italiane “L’Italia all’estero” raportonte: “Në Elbasan u mbajt Kongresi që do të vendoste për fatin e arsimit shqiptar.”
Kongresi i Elbasanit është një gur themeli i identitetit tonë kombëtar dhe një dëshmi e qartë se vetëm përmes dijes dhe gjuhës sonë, mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme.
burimi (Encikopedia Elbasanit)
Redaktoi: Arjola Tashi