ATSH/ – Ditët e bukura të verës shpesh shoqërohen me temperatura të larta, shumë mbi mesataren dhe po ashtu me lagështi të lartë, sipas pazienti.it.

Në këto kushte, trupi ynë kryen një proces termorregullimi, i njohur më mirë si djersitje, i cili lejon trupin të ftohet dhe të përballë temperaturat e larta.

Gjatë këtyre ditëve është e domosdoshme të hidratohemi vazhdimisht duke pirë shumë ujë dhe duke konsumuar ushqime të pasura me lëngje, të përdorim veshje të lehta dhe të mbrojmë kokën nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell.

Pavarësisht nga këto masa të thjeshta paraprake, disa subjekte tregojnë një vështirësi reale për të gjetur lehtësim në ditët veçanërisht të nxehta. Kjo gjendje është tipike për të moshuarit, fëmijët, njerëzit që vuajnë nga sëmundje neurologjike ose që i nënshtrohen trajtimeve me ilaçe, dhe jo vetëm kaq, pasi intoleranca ndaj nxehtësisë mund të jetë një shenjë e dukshme e një mosfunksionimi të tiroides.

Tiroidet dhe nxehtësia, çfarë lidhje kanë?

Tiroidja është një gjëndër endokrine, e vendosur në pjesën e përparme të qafës, ajo kryen funksione të rëndësishme për trupin tonë, domethënë kontrollon peshën, stimulon aktivitetet e sistemit nervor dhe kardiovaskular, nxit zhvillimin e muskujve dhe rregullon temperaturën e trupit.

Në rast të mosfunksionimit të kësaj gjëndre, në mjedise veçanërisht të nxehta, subjekti percepton lëvizje të forta termike, të cilat manifestohen me djersitje të lartë, për shkak të prodhimit të një sasie të tepruar të hormoneve tiroide, në rastin e hipertiroidizmit ose një ndjenje të konsiderueshme të lodhjes dhe dobësi, me efekte në nivelet e presionit të gjakut, për ata që vuajnë nga hipotiroidizmi.

Për të përballuar nxehtësinë duhet të hamë ushqime të pasura me jod, ushqime të freskëta të pasura me lëngje, sidomos fruta dhe perime, hidratim të vazhdueshëm, veçanërisht kur jemi në ambiente shumë të nxehta si dhe kufizim të përdorimit të kremrave të trupit me bazë jodi./   /os/