Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se është hapur thirrja për bursat studentore, proces që do të vijojë deri në janar 2023, kur pritet të bëhen gati listat e studentëve përfitues.

 

Në fjalën e saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kushi tha se “këtë vit, një risi në politikat arsimore lidhet me vendimin për shpalljen e programeve prioritare dhe mbështetjen studentore me bursa sa paga minimale”.

 

Ministrja theksoi se “kjo politikë u përgatit në bashkëpunim me universitetet, duke u konsultuar gjatë, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të përcaktuar fushat kryesore për të cilat ka nevojë zhvillimi i vendit, por edhe fushat ku universitetet kanë nevojë për mbështetje, si shkencat humane, shkencat natyrore, matematika, statistika, mësuesia, inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, pyjet, peshkimi, veterinaria, shërbimet”.

 

Kushi tha se me “vendim të Këshillit të Ministrave u përcaktuan kategoritë që përjashtohen nga tarifat dhe u ofrohet bursë sa paga minimale. Këto kategori janë studentët ekselentë, fituesit e olimpiadave ndërkombëtare dhe studentët që zgjedhin të studiojnë në një nga degët e shpallura prioritet kombëtar”.

 

Në përfundim të 3 viteve studentët kanë detyrim të qëndrojnë të paktën tre vite në Shqipëri, të punojnë për institucionet shqiptare dhe të japin kontribut për zhvillimin e vendit.

 

Kushi theksoi se tashmë “Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hartuar udhëzimin dhe ka shpallur afatet, dokumentacionin, kriteret dhe thirrja është hapur”.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në Komisionin për Edukimin foli edhe për Kartën e Studentit.

Kushi theksoi se një marrëveshje shumë e rëndësishme e këtij viti është ajo e bashkisë së Tiranës, e cila mori vendimin së fundmi që të mbështesë studentët që studiojnë në Tiranë, duke kompensuar biletën e pajtimit mujor të përgjithshëm, ose abonesë së studentit dhe e dyta, për të përgjysmuar tarifat e rezidencave studentore.

 

Sipas ministres Kushi, kjo nismë po përqafohet edhe nga bashki të tjera.

 

“Së fundmi, kemi një iniciativë nga bashkia Elbasan, e cila në këshillin bashkiak ka marrë vendim që çmimi i abonesë nga 1600 lekë të bëhet 600 lekë”, u shpreh Kushi.

 

Ministrja shtoi se i njëjti hap pritet edhe nga bashkia e Durrësit për një marrëveshje bashkëpunimi në mbështetje të studentëve.