Adi Qose emërohet drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Elbasan. Emërimi i Qoses në krye të kadastrës vjen në kuadër të reformimit, tashmë prej disa muajsh të sistemit të kadastrës. Vetë kryeministri Edi Rama e ka pasur në vëmendje të veçantë reformimin e sistemit në zyrat e kadastrës, evitimin e burokracive dhe shmangien e korrupsionit.

Në këtë kuadër, emërimi i Adi Qoses në krye të këtij institucioni të rëndësishëm vjen si pasojë e përzgjedhjes së njerëzve me eksperiencën dhe kualifikimin e duhur në postet drejtuese.

Adi Qose ka një eksperiencë të gjatë në administratë dhe në poste drejtuese në Elbasan dhe Tiranë.

Në vitin 2019 Qose ka qenë Shef Grupi në Drejtorinë e Përgjithshme të Task Forcës së Transportit Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës. Më tej Drejtor Kontrolli pranë së njëjtës Ministri.

Në vitin 2020, Adi Qose u emërua Shef Kabineti dhe më tej nënkryetar i Bashkisë së Elbasanit.

Z. Qose përkrah Kryetarit të Bashkisë Z. Llatja ishin në krye të punëve në periudhën më të vështirë me të cilën është hasur ndonjëherë pushteti vendor, siç ishte periudha e pandemisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në shërbim të qytetarëve.

Së fundmi,Adi Qose drejtoi për rreth dy vite Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan.

Në të gjitha postet që ka mbajtur Adi Qose ka treguar korrektësi në zbatimin e detyrave dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Adi Qose ka mbaruar studimet për Administrim Biznesi dhe që në rini të hershme të tij është angazhuar në Forumin Rinor të Partisë Socialiste, por edhe në grupime vullnetarësh e organizatash joqeveritare të cilat në fokus të tyre kishin angazhimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve.