ATSH/ – Ikona e muzikës italiane, Adriano Celentano është rikthyer në rrjetet sociale me stilin e tij karakteristik, duke ndarë një fotografi të fundit dhe një mesazh plot humor e vetëironi.
“Potrei anche peggiorare… ma non ve lo garantisco!” (“Mund të përkeqësohem… por nuk ju garantoj!”), shkroi artisti 88-vjeçar, duke dëshmuar edhe një herë se karizma dhe ironia e tij mbeten të pandryshuara.
I njohur si “Il Molleggiato”, Celentano ka qenë për dekada një nga figurat më të dashura të muzikës dhe kinemasë italiane, duke lënë gjurmë me stilin e tij të veçantë, energjinë skenike dhe personalitetin rebel. Postimi i fundit u prit me entuziazëm nga fansat, të cilët e përshëndetën rikthimin e tij publik me komente plot admirim.
Me një karrierë që shtrihet në më shumë se gjysmë shekulli, Celentano mbetet një simbol i kulturës pop italiane, duke treguar se koha mund të kalojë, por legjendat nuk zbehen – ato transformohen.
Në moshën 88-vjeçare, “super Molleggiato” dëshmon se sharmi dhe humori janë receta më e mirë për t’u përballur me vitet.

























