Pas nëntë vitesh tifozët e Elbasanit do kenë mundësi që të shohin ekipin e tyre sërish në Superligë. Drejtuesit e AF Elbasanit kanë zgjedhur tanimë trajnerin e ri për në elitë, teksa disa ditë më parë konfirmuan se Nevil Dede nuk do jetë “timonieri” i ekipit paçka rinovimit.

Italiani Roberto Bordin do ulet në stolin e dy herë kampionëve të Shqipërisë dhe objektivi i vetëm është garimi në “Final 4”. Me një CV të pasur, 59-vjeçari nuk ka dijeni për futbollin në Shqipëri paçka se më herët ka qenë trajner i Triestinës, Sheriff Tiraspol. Neftchi Baku dhe kombëtares së Moldavisë për 12 ndeshje.

 

 

Si ndihmës trajner Bordin ka qenë në ekipe si Vicenza, Bologna, Padova, Siena, Sassuolo, Cluj apo edhe Verona. Pritet që brenda javës ai të “zbarkojë” në Elbasan dhe të prezantohet nga drejtuesit.

 

Kjo nuk do të jetë hera e parë që 59-vjeçari prek fushën e “Elbasan Arenës”, pasi në korrikun e 2017-ës, Bordin vinte si kundërshtar për të sfiduar Kukësin, asokohe si trajner i Sheriff Tiraspol. Në atë përballje Sheriffi i tij edhe pse u mund 2-1, mori kualifikimin për në fazën tjetër.

 

Kujtojmë se Superliga fillon më 18 Gusht dhe sërish edicionin e ri skema që do përcaktojë fituesin do jetë ajo e “Final 4”.