ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh dhe raporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetovic deklaroi sot në Tiranë se “Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së dhe ne do të punojmë që javën e ardhshme të mund të çelen negociatat”.

Në një konferencë për shtyp pas takimit me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Ahmetovic

“Duhet të mendojmë për këtë rajon strategjik, për Ballkanin Perëndimor se sa i rëndësishëm është ai për paqen e prosperitetin. PSD gjermane e sheh Shqipërinë si anëtar të BE-së. Para 3 javësh ne patëm një konferencë për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Kishim një shans historik t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave dhe të mbështesnim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapin e ardhshëm në BE, për të mbyllur të gjithë kapitujt por ne e humbëm këtë shans historik”, tha ai.

Ahmetovic shtoi se origjina e tij vjen nga Ballkani Perëndimor.

“Unë e njoh mentalitetin, dhe mendoj se mentaliteti i Ballkanit Perëndimor është mentaliteti shqiptar, dhe e gjitha kjo është shumë e përafërt me mentalitetin e BE. Mendoj se Shqipëria mund të sjellë shumë dinamikë në BE, ndaj dhe ju keni mbështetjen tonë. Më besoni që po punojmë fort për këtë. Nesër, pas një dite të gjatë në Shqipëri, do të vizitoj dhe Maqedoninë e Veriut, për të mbështetur qeverinë dhe për t’i bindur ata që të arrijnë një kompromis. Neve na duhet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në BE”, tha ai.

Po ashtu, Ahmetovic theksoi se “ne duam të punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

“Shumë njerëz nga Kosova po e shohin këtë konferencë dhe dua t’ju çoj një sinjal të qartë atyre se ne po punojmë për vizat. Siç Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo edhe Kosova kanë bërë detyrat e tyre, edhe ne duhet të bëjmë detyrat tona. Për procesin e Berlinit, ne duam që të nisë këtë vit edhe një proces ekonomik, jo vetëm politik”, tha deputeti gjerman.