Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së enjtes në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd, në afërsi të fshatit Qukës. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, katër persona nga e njëjta familje kanë mbetur të plagosur, ndërsa njëri prej tyre raportohet të jetë në gjendje kritike për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur autoambulanca nga spitalet e Librazhdit dhe Prrenjasit për të dhënë ndihmën e parë dhe për të transportuar të lënduarit drejt qendrave spitalore për trajtim të mëtejshëm.

Aktualisht nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit. Grupi hetimor dhe forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur dinamiken e përplasjes.

Edlira Xherri