/ATSH/ Nisma e re dixhitale e FAO-s synon të rrisë transparencën dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e peshkimit.
Aksioni botëror kundër peshkimit të paligjshëm, të parregulluar dhe paraportuar po bën përpjekje të mëdha, por duhet të bëhet më shumë pasi kërkesa e konsumatorit dhe prodhimi i peshkut vazhdojnë të rriten, tha QU Dongyu, drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në kuadër të takimit të tretë të anëtarëve lidhur me Marrëveshjen e FAO-s 2009, mbi Masat e Shtetit Portual (PSMA), një takim virtual organizuar nga Bashkimi Evropian.
PSMA është marrëveshja e parë ndërkombëtare, në të cilën Shqipëria bën pjesë si firmëtare e saj, e krijuar për të parandaluar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të parregulluar dhe të paraportuar (PPP), ndalimin e anijeve të huaja të përfshira në të nga përdorimi i porteve, ujërave detare nën juridiksionin e vendeve pa lejen e tyre, apo në shkelje të dispozitave ligjore të legjislacionit vendas.
Deri më tani 69 vende, përfshirë Shqipërinë, që përfaqësojnë 56% të shteteve portuale në të gjithë botën, kanë ratifikuar marrëveshjen si një nga mjetet për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të parregulluar dhe paraportuar (PPP).
Pjesëmarrësit në takim, përfshinin Komisionerin e Bashkimit Evropian për Mjedisin, Oqeanet dhe Peshkimin, Virginijus Sinkevičius, si dhe Ministra dhe përfaqësues zyrtarë botërorë, të cilët theksuan rëndësinë e marrëveshjes për qëndrueshmërinë e peshkimit.
Duke iu referuar Raportit te FAO-s rreth situates globale në peshkim dhe akuakulturë, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s vuri në dukje se prodhimi global i peshkut, kishte arritur nivelet më të larta ndonjëherë, duke siguruar gati gjysmën e popullsisë së botës, afërsisht me 20% të mesatares së prodhimeve shtazore. Ai gjithashtu vuri në dukje se, rreth 10% e popullsisë në botë varen nga zinxhiri i vlerës së prodhimeve të detit për jetesën dhe të ardhurat e tyre.
“Në këtë kontekst është përgjegjësia jonë më e madhe për të menaxhuar të gjitha prodhimet ujore në mënyrë të qëndrueshme dhe në mbrojtje të oqeaneve, lumenjve dhe liqeneve tona,” shtoi ai, duke vënë në dukje se “Kërkesa duhet të plotësohet nga furnizimi më i qëndrueshëm nga akuakultura”.
Përpjekjet për të ndaluar peshkimin e paligjshëm duhet të mbështeten në paralajmërime të hershme bazuar në të dhëna shteruese dhe ndarjen e informacionit, shtoi ai, duke theksuar se kjo do të përmirësohej përmes Sistemit Global të Shkëmbimit të Informacionit PSMA (GIES), i zhvilluar nga FAO.
GIES është krijuar për të mbështetur zbatimin e PSMA, i cili synon të bllokojë hyrjen në tregjet ndërkombëtare të produkteve të detit që vijnë nga peshkimin e paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar. GIES do të ndajë informacione jetike, përfshirë këtu refuzimet e hyrjes / përdorimit të porteve nga anije me flamuj të huaj në portet e caktuara dhe inspektimet në lidhje me këto anije të dyshimta të angazhuara në peshkimin e paligjshëm.
“Ky sistem i dixhitalizuar do të mundësojë hyrjen në shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe do të rrisë transparencën,” tha Qu.
FAO deri më tani ka ndihmuar 43 vende, ndër të cilat edhe Shqipërinë, në rishikimin e legjislacionit të tyre, forcimin e kapacitetit të tyre institucional, përmirësimin e sistemeve dhe operacioneve të tyre të monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes, dhe për të zbatuar në mënyrë efektive PSMA. Rreth 300 njerëz kanë marrë pjesë në seminare të mbajtura nga FAO, gjatë të cilave u ndanë detajet rreth portalit PSMA GIES. /j.p/


























