Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Në Elbasan janë njoftuar rreth 100 biznese për të liruar vullnetarisht hapësirat e zëna, dhe qyteti ka reaguar me përgjegjshmëri, duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjes.
Një pjesë e madhe e bizneseve kanë nisur tashmë lirimin e hapësirës së zënë, sidomos në qendër të Elbasanit. Zona e bulevardit po liron trotuaret, rruga “Qemal Stafa”, zona pranë postës, etj.
Aksioni përfshin të gjithë territorin: edhe në lagjet e brendshme, edhe në fshatra, por edhe në rrugët nacionale.
Gjatë gjithë muajit korrik, por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve. Pas mbarimit të afatit për lirim vullnetar të hapësirave, do të nisë aksioni për prishjen e tyre.