Një zbulim tronditës nga shkencëtarët tregon se një proces jetik për Emperor penguin po kthehet në kërcënim serioz për mbijetesën e tyre, ndërsa Antarktida po përballet me pasoja dramatike nga ngrohja globale.

Çdo vit, pinguinët perandorë kalojnë 30-40 ditë në një proces intensiv të quajtur ndërrimi i puplave, gjatë të cilit humbasin pendët e vjetra dhe rrisin të reja, rezistente ndaj ujit.

Gjatë kësaj periudhe ata nuk mund të futen në ujë, pasi rrezikojnë të ngrijnë për vdekje. Për këtë arsye, kanë nevojë për platforma të qëndrueshme akulli detar.

Por në vitet 2022-2024, akulli detar në Antarktidë u tkurr ndjeshëm, duke arritur nivele rekord të ulëta.

Në vitin 2023, sipërfaqja ra nga një mesatare prej 2.8 milionë km² në vetëm 1.79 milionë km². Si pasojë, shumë koloni mbetën pa vende të sigurta për të përfunduar procesin jetik të ndërrimit të puplave.

Studimi i publikuar në Communications Earth & Environment dhe i udhëhequr nga Dr. Peter Fretwell i British Antarctic Survey, tregon se shumica e grupeve të pinguinëve në Antarktidën Perëndimore, zonë që përbën 30-40% të popullatës globale, nuk po shfaqen më në imazhet satelitore.

“Ky ishte një moment ‘O Zot i madh’”-tha Fretwell, i cili studion pinguinët prej 20 vitesh.

Në vend të qindra grupeve, ai arriti të identifikonte vetëm 25, me madhësi nga 10 deri në 1.000 zogj.

Shkencëtarët dyshojnë se mijëra pinguinë mund të kenë ngordhur pasi u detyruan të futen në ujë para se puplat e reja të ishin plotësisht rezistente.

Të tjerë mund të jenë zhvendosur drejt Antarktidës Lindore, por kjo do të kishte ndërprerë ciklin e shumimit, duke sjellë pasoja të tjera afatgjata për popullatën.

Procesi i ndërrimit të puplave është jashtëzakonisht i lodhshëm, zogjtë humbasin deri në 50% të masës trupore gjatë kësaj kohe. Pa “kostumin” e tyre të papërshkueshëm nga uji, ata janë tejet të pambrojtur.

Sipas studiuesve, këto zhvillime mund të përshpejtojnë parashikimet për rënien drastike apo edhe zhdukjen e pinguinëve perandorë në dekadat e ardhshme.

Gjetjet janë një paralajmërim i qartë se ndryshimet klimatike nuk janë gjithmonë graduale, ndonjëherë ato sjellin kthesa dramatike që ndryshojnë fatin e një specieje brenda pak vitesh./TAR

Top Channel