Presidenti Joe Biden e përdori dhjetëra herë fjalën “demokraci” në një fjalim të apasionuar për atë që ai e sheh si një udhëkryq kritik për Shtetet e Bashkuara, për shkak të republikanëve të mbështetur nga ish-presidenti Trump. Zoti Biden tha se ata përbëjnë një kërcënim për demokracinë amerikane.
Ai e bëri të qartë se cilin konsideron përgjegjës.
Presidenti Joe Biden beson se Shtetet e Bashkuara janë në një udhëkryq kritik. Të enjten në mbrëmje ai e bëri të qartë se cilin konsideron përgjegjës.
“Nuk ka dyshim që Partia Republikane sot është e mbizotëruar, e drejtuar dhe e frikësuar nga Donald Trumpi dhe republikanët e MAGA-s. Dhe kjo përbën kërcënim për këtë vend”, tha ai.
Zoti Biden foli për 25 minuta, gjatë të cilave e përmendi 25 herë fjalën “demokraci”.
Ai denoncoi republikanët e lidhur me zotin Trump, të cilët i bëjnë jehonë pretendimit të rremë të tij se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën, ata që bëjnë përpjekje për të shtypur pjesëmarrjen e votuesve në shtetet kyçe dhe ata që morën pjesë ose inkurajuan sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Unë besoj se intensifikimi i retorikës nga presidenti dhe demokratët e tjerë po funksionon. Ka prova që shumë votues të pavarur – jo votues të zotit Trump, – veçanërisht gratë, madje edhe në shtetet konservatore, si Teksasi dhe Kansas, kanë humbur durimin me obstruksionizmin republikan, me lajmet për shkeljen e ligjit nga ish-presidenti Trump. Sa më shumë të jetë ai në lajme, aq më mirë duken demokratët”, thotë Jeremi Suri, profesor historie në Universitetin e Teksasit në Austin.
Por të enjten në mbrëmje në Filadelfia, presidenti e tha fjalën votë vetëm tetë herë, duke zgjedhur të paraqesë vizionin e tij për Amerikën.
“Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe Zoti e ruajtë kombin tonë. Dhe Zoti i ruajtë të gjithë ata që mbrojnë demokracinë tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Faleminderit.”
Mbetet për t’u parë se cili botëkuptim do të triumfojë kur amerikanët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në nëntor./ VOA
Top Channel



























