SHBA mbetet e palëkundur në anën e Izraelit. Presidenti i SHBA, Joe Biden e konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA për Izraelin të mërkurën, kur shkroi në platformën e mediave sociale X: “Kam riafirmuar angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit” në një takim me krerët e shteteve të G7. SHBA mbetet e palëkundur në anën e Izraelit. Ajo madje mund të mbështesë aleatin e saj në një luftë kundër Iranit.

 

 

Shkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme

Konfirmimi i mbështetjes amerikane nga Biden vjen në një kohë kur Lindja e Mesme është në shkallëzim të vazhdueshëm, që filloi kur grupi militant islamist i Hamasit, i kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE dhe vende të tjera, sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Hamasi vrau rreth 1200 njerëz dhe mori pothuajse 250 pengje, disa prej të cilëve ende mbahen në Gaza.

 

Si kundërpërgjigje Izraeli nisi një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në territorin palestinez, qëllimi i deklaruar i të cilit ishte zhdukja e Hamasit dhe lirimi i pengjeve të marra nga organizata terroriste. Që nga fillimi i operacionit ushtarak izraelit, më shumë se 40,000 njerëz në Gaza, shumë prej tyre civilë, janë vrarë. Aktualisht ka goditje me raketa e luftime në rritje mes trupave izraelite dhe Hezbollahut, një aleat i Hamasit që e ka bazën në Liban, i cili ka gjuajtur raketa drejt Izraelit përtej kufirit verior të vendit me Libanin. Të hënën, Izraeli nisi një ofensivë tokësore kundër Libanit, pasi vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah gjatë fundjavës.tch