Mijëra të rinj demonstrojnë mbrëmjeve në rrugët e qyteteve të mëdha të Rumanisë kundër ekstremizmit dhe pro Europës. Mesazhet në rrjetet sociale të personaliteteve nga fusha të ndryshme janë: mos lejoni ta zhysni atdheun në humnerë.

 

 

Këta janë intelektualë, që bëjnë fjalë për tragjedinë më të madhe në historinë e re të vendit. Kjo është tema që dominon aktualisht në media.

 

Rumania pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale (24.11.2024) është në gjendje shoku. Në këtë raund fitoi nga hiçi me rreth 23 përqind Calin Georgescu i paparti: një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, apolog i fashizmit rumun kristian-ortodoks të periudhës ndërmjet luftrave, një teoricien i teorive të konspiracionit dhe një njeri ezoterik që flet gjepura.

 

 

Të dielën (1.12.2024) në Rumani zhvillohen zgjedhjet parlamentare, e një javë pas tyre edhe balotazhi presidencial. Shumë në Rumani druajnë, se partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë shumicën. E në fund një ekstremist i djathtë tifoz i Putinit mund të bëhet edhe president.

 

Kjo ta zhyste në kaos jo vetëm Rumaninë, por do t’i krijonte probleme të mëdha edhe BE-së dhe NATO-s. Rumania është vendi i gjashtë për nga madhësia në BE dhe partnerja më e rëndësishme e NATO-s në Europën Juglindore.

 

Aty janë të disolokuara stacioni i mbrojtjes nga raketat dhe bazat më të rëndësishme të aviacionit luftarak të rajonit. Një pjesë e rëndësishme e ndihmës ushtarake për Ukrainën kalon përmes Rumanisë. Gjithashtu ky vend shtrihet në Detin e Zi dhe ndodhet në rrugën nga kalojnë furnizimet ukrainase me drithëra. Ndaj rëndësia gjeopolitike e Rumanisë është shumë më e madhe se sa e shteteve si Hungaria apo Sllovakia, që qeverisen nga nacionalistët si Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë devijuar prej konsensusit të BE-së dhe të NATO-s.

 

Jo një fatkeqësi e rënë nga qielli

 

Që në Rumani, një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, i cili del me mesazhe kristiane si Mesias, fiton vota me shumicë, kjo nuk është një fatkeqësi e rënë nga qielli – historia e re këtij vendi ka plot tragjedi: Diktatori pro-fashist në kohën midis dy luftrave, Ion Antonescu, dhe diktatori megalloman Nicolae Çaushesku ndiqnin një kult të ngjashëm mesianik. Nën Çausheskun Rumania, krahas Shqipërisë, përjetoi diktakturën më të keqe në bllokun lindor.

 

Vetëm në Rumani më 1989 pati një ndryshim të përgjakshëm sistemi, me mbi njëmijë të vdekur gjatë trazirave. Dhjetë vjet më vonë, më 1999, Rumania gjatë kryengritjes së minatorëve ishte në prag të një lufte civile. Një vit më vonë ultranacionalisti dhe ish-punonjësi i Çausheskut Corneliu Vadim Tudor duke fituar në balotazh mori mandatin presidencial. Megjithatë ai u zgjodh si e keqja më e vogël kundrejt komunistit që ndryshoi kahun Ion Iliescu, i cili ishte bashkëpërgjegjës për të vdekurit pas rrëzimit të Çausheskut dhe më vonë themelues i partisë së emërtuar socialdemokrate, PDS, por që në fakt ishte parti populiste dhe nacionaliste. Tch