ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan përsëriti se është i gatshëm të presë liderët e Rusisë dhe Ukrainës për t’i “hapur rrugën rivendosjes së paqes” pasi tensionet midis dy vendeve nuk tregojnë shenja të zbutjes.
“Turqia dëshiron që tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës të zgjidhen përpara se të kthehen në një krizë të re”, tha Erdogan gjatë një interviste televizive.
“Shpresoj se Rusia nuk do të shkojë drejt një sulmi të armatosur dhe pushtimit të Ukrainës”, tha ai.
Një veprim i tillë, tha ai, nuk mund të jetë “racional” për Rusinë dhe rajonin, duke theksuar dëshirën e Turqisë për paqe dhe stabilitet rajonal.
Erdogan njoftoi gjithashtu se kishte ftuar presidentin rus Vladimir Putin në Turqi, por data nuk është caktuar ende.
Ai ndërkohë përsëriti qëndrimin e “qartë” të Turqisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
Rusia kohët e fundit grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikonte një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.
Moska ka mohuar se po përgatitet për ndonjë pushtim duke pretenduar se trupat e saj janë stacionuar atje për stërvitje.
Rusia gjithashtu ka dalë me një listë të kërkesave të sigurisë, përfshirë mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO./ /os/
























