ATSH/- Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i bën thirrje të rinjve dhe të rejave që duan të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit të aplikojnë brenda datës 22 gusht për patrullë të përgjithshme, pasi janë 300 vende të lira. Po ashtu, deri më 20 gusht kjo ftesë u shkon të gjithë të rinjve që kanë përfunduar në mënyrë ekselente arsimin e lartë për tu bërë pjesë e Policisë Kriminale.

“Teksa rreth 500 të rinj e të reja u diplomuan në Shkollën Bazë të Policisë dhe u emëruan të Patrullës së Përgjithshme, deri në 22 Gusht janë të hapura aplikimet për 300 vende në kursin e radhës”,- njofton Ministria e Brendshme.

Procesi aplikimit për patrullë policie është çelur më datë 13-korrik. Aplikimet dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, 300 kursantët fitues do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

Për të aplikuar në këtë program studimi, duhet të plotësohen disa kritere. Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”: Të jetë shtetas shqiptar; Të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe të jetë nën 30 vjeç; Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;  Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; Të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë; Të ketë mbaruar arsimin e mesëm; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje; Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Aplikantët për punonjës policie për të aplikuar duhet të paraqesin: Formulari i aplikimit; Fotokopje e kartës së identitetit; Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;  Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; Vërtetim nga Gjykata; Vërtetim nga Prokuroria; Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;

Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi. Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.

Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve. Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e Burimeve Njerëzore. Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

Fazat e konkurimit janë: Testimi me shkrim; Testimi i aftësive fizike; Testimi psikologjik dhe intervista; Kontrolli shëndetësor; Marrja e shenjave të gishtave;  Verifikimi përfundimtar i aplikantit. Formularin e aplikimit e shkarkohet onlone.

Ministria e Brendshme i bënë thirrje edhe studentëve që kanë përfunduar me rezultate ekselente arsimin e lartë, me mesatare mbi 8, të aplikojnë për t’u bërë pjesë e policisë kriminale.

“Gjithashtu aplikimet janë të hapura deri në 20 Gusht edhe për studentët ekselentë për t’u bërë oficerë të Policisë Kriminale”,- thekson Ministria e Brendshme.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë: të jenë shtetas shqiptarë;  të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: Të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): të jenë nën moshën 30 vjeç; të kenë mesataren mbi “8” të notave në ciklin e dytë të studimeve; të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;  të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë: Formularin e aplikimit; Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit (të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit; Fotokopje të kartës së identitetit; Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; Vërtetim nga gjykata; Vërtetim nga prokuroria; 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm:

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë: vlerësimi sipas notës mesatare, të ciklit të dytë të arsimit të lartë; vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; intervistimi i aplikantëve;kontrolli shëndetësor; marrja e shenjave të gishtave;verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. /a.g/