Apple po përgatit një revolucion në inteligjencën artificiale me një version krejtësisht të ri të Siri, që pritet të prezantohet këtë verë.

Gjiganti amerikan Apple Inc. po punon për një version të avancuar të asistentit virtual Siri, i cili pritet të transformohet nga një komandë e thjeshtë zanore në një asistent inteligjent të plotë me AI.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, Siri i ri do të funksionojë si një chatbot, i ngjashëm me platformat moderne të inteligjencës artificiale, duke mundësuar komunikim të vazhdueshëm dhe përgjigje më të detajuara për përdoruesit

Ndryshe nga versionet aktuale, asistenti do të ketë aftësi të avancuara për të analizuar email-e, dokumente dhe të dhëna personale, si edhe për të kryer veprime brenda dhe mes aplikacioneve.

Apple po teston gjithashtu një aplikacion të veçantë për Siri, ku përdoruesit mund të komunikojnë me tekst, të ruajnë historikun dhe madje të ngarkojnë foto apo dokumente për analizë.

Një tjetër risi e rëndësishme është se Siri mund të lidhet edhe me modele të tjera të inteligjencës artificiale, duke e kthyer iPhone-in në një platformë më të hapur dhe më të fuqishme për AI.

Prezantimi zyrtar i këtij sistemi të ri pritet në konferencën vjetore të zhvilluesve të Apple, në muajin qershor.

Top Channel