ATSH/ Shqipëria ka më në fund infrastrukturën grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror, sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e vendit.

Drejtoria e Përgjithshme të Arkivave promovoi mbrëmjen e djeshme punën e bërë për ambientet e reja në vendruajtjen e Arkivave në Shkozë.

Në këtë kompleks arkivor ruhet tashmë historia e vendit tonë, dokumente e materiale kaq të çmuara për historiografinë shqiptare, për çdo studiues e historian, për të cilët, këto arkiva janë burim i madh i punës së tyre.

Mjediset e reja të këtij komplesi arkivor tashmë janë shndërruar në ambiente bashkëkohore, me sistem kondicionimi qendror, sistem ndriçimi, rafte të lëvizshme, sistem modern për mbrojtje nga zjarri dhe zyra komode për punonjësit.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin punonjësit e Drejtorisë, ish-punonjës, studiues dhe mjaft bashkëpunëtorë. Të pranishmëve iu drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, i cili foli për punën e bërë, e më pas për një fjalë përshëndetëse u ftuan edhe studiuesja dhe historiania  Valentina Duka, ish-drejtori i DPA-së, Gjetë Ndoj, ish-drejtoresha e AQSH-së Kalipoi Naska, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj si dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani.

Veç prezantimit fizik të objektit për të gjithë të ftuarit u shfaq edhe një video e shkurtër për punën e bërë në kompleksin arkivor, jo vetëm të Shkozës, por edhe në qytete të tjera, disa prej të cilave janë ende në fazë rikonstruksioni.