TIRANË, 16 prill/ATSH/- Arqipeshkvi i Kryedioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka përcjellë sot mesazhin e tij për besimtarët katolikë për festën e Pashkës.
Në mesazhin e urimit, Imzot Dodaj shprehet se “ringjallja e të kryqëzuarit ka një forcë dhe domethënie për mbarë njerëzimin dhe mbarë botën. Sot Krishtin që vdiq në kryq për ne, e shohim në shumë vëllezër dhe motra të pafajshëm viktima të padrejtësisë, të dhunës dhe të luftës”.
Ai thekson se “me Krishtin në këto Pashkë shohim betejën e madhe të njerëzimit midis jetës dhe vdekjes, midis shpresës dhe dëshpërimit tundimit ndaj dorëzimit të së keqes dhe luftën për të mirën”.
“Ftesa që na ban Zoti të gjithëve sot është që të shohim me vendosmëri të ardhmen sepse përballë errësirës që njerëzimi ka në horizontin e sotëm, me të vërtetë depërton drita e prezencës së Zotit që nuk e braktis kurrë njeriun”, shprehet Arqipeshkvi Metropolit Tiranë-Durrës.
Imzot Arjan Dodaj thekson se “jeta që Zotni na ka dhuruar meriton të jetohet akoma më shumë, ta ndërtojmë së bashku këtë jetë me më shumë përgjegjësi në vendin tonë. Të jemi të sigurt që ky është thesari që Zoti na ka dhënë për amshim”.
Ndërsa gjatë meshës në Shkodër, Imzot Angelo Massafra apeloi që shqiptarët të largojnë mllefin dhe dëshirën për ryshfet dhe korrupsion, por të fokusohen në bërjen e transparencës për ta bërë Shqipërinë një vend më të jetueshëm.
“Sot më shumë se kurrë duhet ta shpallim zotërinë e Krishtit të ngjallur në këto kohë kur po përshkojmë errësirën e vdekjes të shkaktuar nga luftërat që po i vënë flakën planetit tonë, në veçanti nga lufta e pakuptueshme i Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa ende nuk kemi dalë përfundimisht nga errësira e thellë e një pandemie globale. Dhe kjo për dy arsye: së pari sepse njohja e përvuajtë e zotërisë së Krishtit do të thotë gjithashtu të pranojmë se askush nuk mund të dominojë dhe mposhtë të tjerët, pa u ndëshkuar, qoftë edhe në emër të një ideologjie apo të ndonjë mendimi politik. Së dyti, sepse Krishti i Ngjallur e ushtron zotërinë e tij jo me dhunë, por duke sjellë dhuratën e paqes”, u shpreh ai.
Ai shtoi se “fuqia për të falur mëkatet është kumtimi se Hyji është mëshirë dhe dëshiron që bijtë e tij ta jetojnë këtë mëshirë, të marrë dhe të dhënë. Pranimi i Krishtit të Ngjallur si Zot i jetës sonë është e gjithë kjo, por edhe fillimi i jetës së re, të shënuar nga prania e Shpirtit shenjtërues; është edhe fillimi i marrëdhënieve të reja mes nesh, të shënuara nga mëshira e ndërsjellë”.
“Le të heqim mllefin nga zemrat tona, të heqim, njëherë e përgjithmonë dëshirën për të shfrytëzuar tjetrin me rryshfet dhe korrupsion, le të bëjmë secili detyrën e vet me korrektesë, transparencë e drejtësi, pa kërkuar asgjë që nuk na takon me ligj në çdo sektor: në pazar, në shkolla, në universitet, në gjyqe dhe në sektorin e shëndetësisë! Të jemi solidarë me më nevojtarët, s i na fton Shën Nëna Tereza jonë. Të dashur, ne, në vend që të ankohemi gjithmonë e/ose të braktisim Atdheun tonë, të gjithë së bashku e secili prej nesh të veprojë në mënyrë që Shqipëria jonë të bëhet me e jetueshme”, apeloi Imzot Angelo Massafra.



























