Kryeministri renditi disa prej pikave kryesore të Planit të Veprimit për arsimin në mandatin e tretë (2021-2025).
Rama tha se “gjuha angleze do të nisë të mësohet kudo, në të gjitha shkollat e vendit që në klasën e parë”. Gjatë këtij mandati vëmendja e qeverisë ka qenë në forcimin e kurrikulave, kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies në anglisht, duke arritur në kushtet kur gjatë mandatit të ardhshëm do të bëhet e mundur fillimi i mësimit të anglishtes që nga klasa e parë.
“Është koha që të gjithë fëmijët e Shqipërisë të mësojnë anglishten nga njëra anë dhe gjuhën bazë të komunikimit digjital nga ana tjetër”, tha ai.
Rama deklaroi sot se “nuk mjaftojnë pagat e mësuesve që i kemi rritur 32% dhe në mandatin e tretë do t’i rrisim 40%”.
Në prezantimin e planit të veprimit për arsimin (2021-2025), Rama tha se “vizioni për Shqipërinë 2030 shkon shumë përtej atyre që kemi bërë”.
Vizioni “Shqipëria e ardhmja jonë”, sipas Ramës, kërkon që qysh sot, ne të fillojmë ta pajisim brezin e dekadës tjetër me dijet bazë, si dhe ta zhdërvjelltësojmë hap pas hapi sistemin tonë të ngrirë arsimor të ngrihet në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Ndaj, Kryeministri Rama tha se “ne do të çelim programin kombëtar 10-vjeçar të Kodimit për fëmijët 12 deri në 18 vjeç dhe do të hapim për ta qendra të specializuara të hyrjes në botën digjitale”.
“Qendra e parë është kjo e Tiranës, qendrat e tjera të para do të ngrihen në Shkodër, në Vlorë, në Dibër, në Korçë, në Kukës, në Berat dhe hap pas hapi do të shtrihen në krejt Shqipërinë, qendër urbane për qendër urbane”, tha ai.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se “do të çelim programin kombëtar të arteve dhe zejeve për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, të cilët duhet t’ju krijojmë kushte e do t’ju japim detyra për të ushtruar mendjen dhe duart përmes krijimtarisë dhe prodhimeve të larmishme, në përpjekjen e domosdoshme, jetike, si detyrim që jua kemi fëmijëve tanë, që bota virtuale e iphon-it dhe ipad-eve mos të marrë peng përfundimisht mendjen, shqisat dhe trupin e tyre”.
Një tjetër objektiv, sipas tij, është edhe që “deri në vitin 2025, të gjithë drejtuesit e shkollave do të licensohen nga shkolla e drejtorëve si menaxherë të kualifikuar pikërisht për të drejtuar një qendër komunitare.
Rikonstruksioni dhe ndërtimi i 263 shkollave gjatë këtyre viteve, rindërtimi i 160 të tjerave si pjesë e programit të Rindërtimit nga tërmeti, si dhe projekti për ndërtimin e shkollave të reja dhe ndërhyrjen në pjesën e mbetur, do të bëjë që brenda 2025-s historia e shkollave me dy turne, për shkak të mbingarkesës apo mungesës së kapaciteteve të jetë një histori që do t’i përkasë të shkuarës.
Rama tha se “mandati i tretë do të sjellë më në fund, fundin e mësimit me dy turne për shkak të mungesës së klasave në Shqipëri”.
“Do të fuqizojmë programin e kurseve të personalizuara nxënësit të mësojnë me hapin e tyre dhe mësuesve t’u jepet akses i plotë për të krijuar dhe për të planifikuar kurset e tyre nën koordinimin dhe monitorimin natyrisht të drejtorisë së përgjithshme të arsimit”, tha ai.
Universiteti Teknik i Stambollit, një destinacion i famshëm global në arsimin e sotëm në botë për shkencat Inxhinierike dhe teknologjinë e lartë, sipas Kryeministrit, do të jetë dallëndyshja jonë e parë e këtij projekti kombëtar të transformimit të Shqipërisë të kësaj dekade në një vend ku mund të studiosh në Akademinë Amerikane të Mbrojtjes, në Akademinë Italiane të Policisë e me radhë, pa pasur nevojë të largohesh nga Shqipëria.
Rama theksoi se “ne do të vendosim 10 milionë euro në vit, për të stimuluar universitetet publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit me universitetet e Bashkimit Europian, në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës, si edhe do të nxisim, mbështesim e financojmë pa rezervë çdo sinergji të plotë mes një universiteti shqiptar e një universiteti të huaj publik, në anglisht.
Kryeministri theksoi se në mandatin e tretë do të marrë jetë edhe Kampusi i ri i Universitetit të Tiranës, një qytezë universitare moderne, tanimë i projektuar në një territor prej 28 mijë metrash katrorë në zonën e Qytetit Studenti, por i penguar, i bllokuar si proces realizimi përkohësisht nga dy goditjet e rënda të tërmetit e të pandemisë.
Pas rehabilitimit të konvikteve, një program që po zbatohet me sukses si pjesë e Paktit të Studentëve në të gjithë vendin, gjatë mandatit të ardhshëm do të vijojë investimi masiv për rritjen e cilësisë së mësimit tonë të lartë. Përveç fondit të përvitshëm prej 10 milionë eurosh për zgjerimin e bashkëpunimit përmes programeve të përbashkëta të universiteve shqiptare me ato europiane, do të rritet edhe më tej financimi në rehabilitimin e infrastrukturës universitare.
Kampusi i ri është projekti më i madh, por njëkohësisht do të përfundojë projekti madhor për Akademinë e re të Arteve, kampusi i Universitetit Bujqësor së bashku me fermat didaktike dhe kampusi i Akademisë së re të Sigurisë.
Risia tjetër e mandatit të tretë për të rinjtë, sipas tij, do të jetë paketa e programeve të “Inovacionit dhe ekselencës në manifakturë” dhe në “IT”, e cila do të ofrojë kualifikime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim, nëpërmjet mbulimit të kostove 100% nga qeveria.
Rama tha se “kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar apo i punësueshëm përfituesi”.


























