ATSH-DPA/ –  Pas më shumë se gjysmë shekulli, katër astronautë u ngritën në bordin e një kapsule ”Orion” duke përdorur raketën e Sistemit të Nisjes Hapësinore (SLS) nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në Florida në orën 18:35 pasdite (22:35 GMT).

Misioni 10-ditor ”Artemis II” po transporton astronautët amerikanë Christina Koch, Victor Glover dhe Reid Wiseman, së bashku me astronautin kanadez Jeremy Hansen, në një fluturim rreth Hënës.

“Për herë të parë në më shumë se 50 vjet, njerëzit janë në Hënë”, postoi agjencia hapësinore amerikane NASA në platformën e mediave sociale X.

“Lëshimi i sotëm shënon një moment përcaktues për kombin tonë dhe për të gjithë ata që besojnë në eksplorim”, tha administratori i NASA-s Jared Isaacman pas lëshimit.

“Artemis II’ është fillimi i diçkaje më të madhe se çdo mision. Ai shënon kthimin tonë në Hënë, jo vetëm për ta vizituar, por për të qëndruar përfundimisht në Bazën tonë në Hënë, dhe hedh themelet për hapat e ardhshëm gjigantë përpara”, shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump përshëndeti misionin edhe para lëshimit.

“Ne po FITOJMË, në Hapësirë, në Tokë dhe kudo midis tyre – Ekonomikisht, Ushtarakisht dhe tani, PËRTEJ YJEVE”, shkroi Trump në platformën e tij online Truth Social vetëm disa orë para lëshimit duke përdorur si gjithmonë germat kapitale.

“Askush nuk i afrohet! Amerika nuk konkurron vetëm, ne DOMINOJMË dhe e gjithë Bota po na shikon”, shtoi ai.

Lëshimi i misionit Artemis II të goditur nga kriza është shtyrë disa herë më parë për shkak të problemeve teknike.

Astronautët amerikanë ishin për herë të fundit në hënë në vitin 1972.

Në përgjithësi, SHBA-të mbeten i vetmi vend që ka ulur njerëz në Hënë, me 12 astronautë që arritën në sipërfaqen hënore gjatë misioneve ”Apollo” midis viteve 1969 dhe 1972.

Një garë e re drejt hënës midis kombeve që kanë eksploruar hapësirën ka qenë në zhvillim e sipër prej vitesh.

Rivali më i madh i SHBA-së është Kina, e cila synon të dërgojë njerëz në Hënë deri në vitin 2030./  a.jor.