ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes, Rama tha se “përveç rritjes së pagave që do të bëhet për të gjithë në Policinë e Shtetit, do të diferencohet trajtimi për të gjithë ata që punojnë larg familjes”.

“Këtu është vetëm fillimi. Me këtë ndërhyrje por edhe përgjatë gjithë këtij mandati ne çdo vit do të bëjmë që ky diferencim të bëhet kuptimplotë duke rritur pagat për të gjithë, por duke rritur bonuset për ata që kontribuojnë për atdheun jashtë vendbanimit. E bëjmë këtë se tani janë krijuar mundësitë jo se nuk kemi dashur më parë”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje dy të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e Policisë së Shtetit në vitin 2013.

“Kishim dy të dhëna kuptimplota lidhur me gjendjen e Policisë së Shtetit. Njëra se Policia e Shtetit kishte 70% të mjeteve të saj motorike jashtë përdorimit dhe tjetra që kishte moshën më të lartë me diferencë në raport me rajonin dhe Europën dhe nivelin më të ulët të edukimit dhe shkollimit të trupës policore në rajon e më gjerë. Sot, e para është zgjidhur dhe Policia e Shtetit ka gjithë flotën në funksion të modernizuar vit pas viti me mjete të reja”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “përpjekja e vazhdueshme e qeverisë është që Policia e Shtetit të ndjehet e respektuar dhe e mbështetur”.

“Ju siguroj se deri në fund do të bëjmë gjithçka mundemi që ju të ndjeheni edhe më të motivuar në punën tuaj. Ky shtet ju çmon si një kapital të paçmueshëm njerëzor dhe ne do të bëjmë çmos që vlera të rritet”, tha Rama.

Rama tha se “rekrutimi në Policinë e Shtetit tani bëhet sipas meritës, ndërsa theksoi domosdoshmërinë për të vazhduar ngritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë”.

Kryeministri theksoi se “kemi arritur që rekrutimi në Policinë e Shtetit të mos kaloj përmes rrugëve që kalonte më parë, por vetëm përmes rrugës së meritës”.

“Tani partia në pushtet, deputetë e ministra, nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin njeri në polici thjesht për hatër”, tha Rama.

Ai vlerëroi po ashtu punën e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, ndërsa shtoi s eme ligjin e ri që së shpejti kalojmë, kjo strukturë do të bëhet një agjenci jashtëzakonisht e rëndësishme për integritetin e Policisë së Shtetit”.

“Puna dhe rezultatet e arritura japin mesazhin se ‘këtu nuk ka të paprekshëm dhe gjithkush që shkel uniformën përballet me ligjin”, tha Rama.