Në qendër të Elbasanit ka nisur të ndjehet atmosfera e festave, edhe pse duhen ende ditë nga Krishtlindjet dhe ndërrimi i viteve. Mbrëmjen e sotme janë ndezur dritat e pemës, duke çelur zyrtarisht javët e festave në Elbasan.


Në sheshin “ Gensher” duke nisur që nga mbrëmja e sotme, do të mbizotërojnë ngjyrat shumëngjyrëshe, që simbolizojnë festat e fundvitit. Në ndezjen e dritave të pemës së madhe, dhe dekorit të bukur fëmijët organizuan edhe një koncert me këngë për festat, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Gledian Llatja. Duke ju drejtuar fëmijëve, kryebashkiaku Llatja tha se ” të jemi më shumë se kurrë të bashkuar me njëri tjetrin, të punojmë të gjithë së bashku për qytetin tonë. Ndaj jemi të gjithë bashkë të ndezim dritat e qytetit, të bëjmë vetëm punë të mira, për ju fëmijë, për të ardhmen dhe për gjithë qytetin. Të gëzojmë festat që po vijnë”, tha Llatja.
Festat dhe zbukurimet në qytet, më së shumti i gëzojnë fëmijët ndaj dhe dekorit nuk i mungojnë lodrat dhe argëtimet për ta. Sheshet dhe rrugët kryesore të Elbasanit janë stolisur nga dritat shumëngjyrëshe, ndërsa pema tradicionale tërheq vëmendjen më të madhe të fëmijëve.
Edhe pse temperaturat janë disi të ulta qytetarët dhe fëmijët kanë mbushur plot sheshin para portës së Kalasë të Elbasanit, për të parë ndezjen e pemës tradicionale që simbolizon ardhjen e Vitit të Ri, e cila duket se shkëlqen gjithë qytetin.