Nga Mollasi në Rimini, nga fushat e fshatit të lindjes në Shqipëri tek kontrata e parë si futbollist profesionist në Itali. 15-vjeçari Avdi Miraka është një prej sulmuesve më premtues shqiptarë të kësaj grup moshe që po rritet me shpejtësi në futbollin italian. Me statistika mbresëlënëse dhe një rrugëtim të jashtëzakonshëm, ai ka rrëfyer historinë e tij si futbollist që luan me ekipet e moshave dhe jo vetëm

.Edhe pse kaq i vogël jeni bërë i famshëm jo vetëm në Rimini por në një pjesë të madhe të Italisë .Si nisi udhëtimi yt në futboll?

-Ju falenderoj shumë për këtë intervistë! Takimi im i parë me topin ka qenë që në moshën 4-5 vjeçare. Luaja çdo ditë për disa orë me fëmijët e lagjes te shkolla e fshatit Mollas në bashkinë e Cërrikut.Aty e ndjeva për herë të parë dashurinë e madhe për futbollin. Ishte një lojë që më pëlqente shumë dhe që më bënte të lumtur çdo ditë.

-Si reaguan prindërit tuaj kur e kuptuan që dëshira jote ishte futbolli dhe jo ndonjë kurs artistik?

-Më kujtohet mirë, isha rreth 6 vjeç dhe prindërit më pyetën çfarë do të bëja pas shkollës. Ata donin të më futnin në kursin e pianos sepse isha i mirë edhe në mësime. Por unë u tregova i vendosur , “dua të luaj futboll”, ju thashë. Dhe ata më përkrahën. Çdo ditë udhëtonim nga fshati për në qytetin e Cërrikut ku stërvitesha me skuadrën e Turbinës nën drejtimin e trajnerit Andi Biba. Ai zbuloi se kisha potencial si sulmues dhe që atëherë gjithçka nisi mbarë dhe mori rrugë.

 

-Nga një fshat i bashkisë Cërrik në Itali ,si ndodhi ky hap i madh ?

-Për arsye familjare, u transferuam në Itali ,në Pisa. Aty nisa të stërvitem me Fratres Perignano, skuadër e lidhur me Empolin. Luajta një vit e gjysmë dhe më pas nisën të më kërkonin disa ekipe në zonë si Ponsacco FC dhe Colline Pisane. Në vitin 2021 u zhvendosëm në Riccione dhe aty u bë një kthesë e fortë në karrierën time sportive .Luajta me “Riccione 1926” dhe më pas me Accademia Rimini. Këtu kam pasur dy sezone të jashtëzakonshme dhe më në fund u vura re si talent nga Rimini FC.

 

-Në sezonin 2024/25 firmose kontratën e parë profesionale me Rimini FC. Si ndiheshe në atë moment?

-Ishte një moment krenarie për mua dhe për familjen time. Realizuam kaq shpejt një ëndërr të madhe. Në gjysmën e parë të sezonit luajta 13 ndeshje dhe shënova 9 gola me 4 asistime. Më pas u dëmtova rëndë në këmbën e djathtë dhe nuk arrita të luaj pjesën e dytë të sezonit. Por për mua ky është vetëm fillimi i karrierës si futbollist .Jam 188 cm i gjatë dhe deri tani si sulmues me skuadrat që jam aktivizuat në Itali kam shënuar dhjetra gola .

-A mund të na përmbledhësh statistikat e tua të fundit?

-Po, me kënaqësi:
• 2024/25 – Rimini FC (Serie D): 13 ndeshje, 9 gola, 4 asistime (u dëmtova në gjysmën e dytë)
• 2023/24 – Rimini Academy: Titullar në të gjitha ndeshjet, 56 gola
• 2022/23 – Rimini Academy: Titullar në të gjitha ndeshjet, 51 gola
• 2021/22 – Colline Pisane & Riccione 1926: 32 gola
• 2020/21 – Ponsacco FC: 23 gola
• 2019/20 – Fratres Perignano: 13 gola

-Çfarë synimesh ke për të ardhmen?

-Dua të luaj një ditë në Serie A, por mbi të gjitha ëndrra ime është të vesh fanellën e Kombëtares Shqiptare sa më shpejt . Ëndrra ime më e madhe është Premier League ,dua të arrij nivelin më të lartë të futbollit botëror.

-Kush janë idhujt e tu në futboll?

-Idhulli im është Lionel Messi për mënyrën si e sheh lojën. Por stili im i lojës është më i afërt me sulmuesit si Marcus Rashford dhe Marcus Thuram, sepse më pëlqen shpejtësia, depërtimi dhe gjuajtjet në portë.

-Na thuaj pak për veten jashtë fushe ,si është jeta jote personale?

-Jam lindur më 06 Maj 2009 në Shqipëri dhe prej disa vitesh jetoj në Itali. Familja ime përbëhet nga 5 persona ,unë, mami, babi dhe dy vëllezërit e mi të vegjël. Më mbështesin shumë, veçanërisht prindërit, të cilët kanë sakrifikuar shumë që unë të jem këtu ku jam.

-Të fundit për mbyllje ,çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që duan të ndjekin ëndrrën e tyre në futboll?

-Të mos dorëzohen kurrë.Të besojnë tek vetja, të punojnë çdo ditë me pasion dhe të mos kenë frikë nga vështirësitë. Edhe nga fshati më i vogël mund të dalë një kampion, mjafton që zemra të digjet për futbollin.Nga fshati ku u linda unë është edhe Kristian Asllani , një emër ky mjaft i njohur i futbollit shqiptar dhe atij italian .

Faleminderit Avdi për këtë intervistë dhe të urojmë suksese sa më të mëdha në rrugëtimin tënd!Faleminderit shumë! Jam i lumtur që pata mundësinë të jem intervistuesi juaj i parë dhe uroj të bëheni një futbollist edhe më i famshëm sesa ëndërroni .

-Faleminderit shumë edhe prej jush ! Unë nuk do ta harroj kurrë këtë intervistë. Unë do përpiqem që me punë dhe përkushtim të bëj realitet ëndrrën që kam si futbollist.