ATSH-I.Vata/- Avokatët janë përfshirë në një grevë katër ditore kundër miratimit të hartës së re gjyqësore.

Protesta nisi sot në të gjithë vendin pas thirrjes së një dite më parë për bojkot të seancave gjyqësore nga Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia.

Protesta janë zhvilluar në Lezhë, Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër, Korçë dhe Pogradec.

Kreu i dhomën së avokatisë Vlorë, Durim Barjamaj tha për mediet se harta e re gjyqësore krijon probleme ndërsa është nisur sot me bojkot katër ditor ndërsa në vijim mund të shkohet edhe në bojkot të masave të sigurisë ç’ka fut në kolaps shtetin.

“Gjate kësaj të marte janë pezulluar 60 seanca në gjykatën e shkallës së parë, 40 apeli, 24 gjykata administrative Vlorë”, tha ai.

Po ashtu edhe Dhoma e Avokatisë Elbasan mbështet bojkotin e të gjithë seancave gjyqësore me përjashtim të masave sigurimit deri më 17 qershor.

Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan sot do të gjykoheshin 120 çështje, të gjitha të anuluara. Mund të jenë vetëm 3-4 masa sigurimi që nuk do të bojkotohen.

“Qytetarët dëmtohen shumë sepse Rrethi Gjyqësor Elbasan është shumë i shtrirë. Thirrja jonë është që qeveria të mos miratojë vendimin e KLGJ për hartën e re sepse bie në kundërshtim me konventa kombëtare dhe ligjin për të drejtat e njeriut. Deri tani presim çdo lloj urdhri, ata po monitorojnë çdo dhomë avokatie. Nuk ka asnjë avokat, i cili nuk mbështet bojkotin”, tha Demir Çiftja, kryetar i Dhomës së Avokatisë në Elbasan.

Avokatët në Lushnjë në formë protestë varën pelerinën e zezë në kangjellat e gjykatës.

“Dhoma e avokatisë Lushnjë i ka bërë thirrje edhe shoqërisë civile të protestojë kundër hartës së re gjyqësore. Në protestë avokatët varën pelerinën e zezë në kangjellat e gjykatës së shkallës së parë Lushnjë e cila do të transferohet në Fier”, tha Kreu i dhomës së avokatëve Lushnjë, Kozma Jano.

Bojkoti i seancave gjyqësore është bërë nga avokatët edhe në Korçë dhe Pogradec.

Sot në Korçë ishin planifikuar të zhvilloheshin 38 seanca gjyqësore, por jo të gjitha do të shtyhen për mungesë avokati. Një pjesë do të zhvillohen sepse bëhen në dhomë Këshillimi pa praninë e palëve që zgjedhin të përfaqësohen edhe pa avokat.

Rreth 70 seanca pritet të shtyhen këtë javë në gjykatën e Pogradecit, avokatët kanë vendosur të bojkotojnë gjyqet pasi kundërshtojnë hartën e re gjyqësore.

Një ditë më parë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se, në hartën e re gjyqësore janë reflektuar kërkesat e avokatëve, si dhe u ka bërë atyre thirrje atyre të reflektojnë. /a.a/