ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se “buxheti 2022 është buxheti i drejtësisë sociale”.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2022, Balla tha se “ky buxhet ka në thelb mbështetjen për ata që kanë më shumë nevojë”.

“Ky është buxheti i drejtësisë sociale dhe unë jam shumë krenar që grupi i PS-së do ta mbështesë. Ky është dallimi mes së majtës dhe së djathtës. PS është parti me binarë të qartë, ku në themel janë njerëzit që kanë më shumë nevojë. Ju të PD-së jeni parti konservatore, këtu është dallimi i madh”, tha Balla.

Ai theksoi se “ky është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi”.

Balla shtoi se “ky është një buxhet që synon të rimëkëmbë tërësisht ekonominë pas dy fatkeqësive shekullore, pandemia dhe tërmeti”.

“Buxheti mbështet rritjen ekonomike të vendit, duke lënë pas krizën. Po ashtu, mbështet shtresat më në nevojë. Ne japim 1.5 miliard dollarë për pensionet, 238 milionë dollarë për ndihmën ekonomike dhe personat dhe aftësi ndryshe, 22 milionë dollarë për bebet e prosalindura me një politikë që kur ishit ju, e kishit vetëm 50 mijë lekë të vjetra”, tha Balla, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvend.

Balla theksoi se në këtë buxhet japim po ashtu edhe 15 milionë dollarë për naftëtarët e Ballshit, të cilët për shkak të një privatizimi korruptiv të PD-së ngelën pa punë dhe natyrshëm edhe për minatorët e Bulqizës.

Po ashtu, Balla tha se në buxhet janë 1.2 miliard dollarë investime publike, buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vite tranzicion të vendit.

Ai theksoi se “ndihma ekonomike rritet me 10% dhe parashikohet indeksimi i pensioneve, si dhe bonusi i fundvitit”.