ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se “koha kur politika kishte kompetenca në emërimet në drejtësi ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.
Balla kujtoi se “shumë vite më parë kur raportonte kryeprokurorja Ina Rama në Kuvend, deputetët e shumicës e bojkotonin raportimin e Prokurores së Përgjithshme nën etiketimin e udhëheqësit të shumicës së saj kohe për të cilin Presidenti dhe Prokurorja e Përgjithshme ishin ‘horri dhe lavirja e bulevardit’. Këto kohë të vështira për drejtësinë kanë përfunduar 1 herë e përgjithmonë në kushtet e drejtësisë së re”, tha Balla.
Ai theksoi se “ky Kuvend ka votuar paketën ligjore të Reformës në Drejtësi që ka bërë që drejtuesit e këtyre institucioneve që raportojnë të jenë institucione plotësisht të pavarura”.
Balla vlerësoi po ashtu “cilësinë tepër të lartë të procesit të raportimit dhe pavarësinë e vendimmarrjes së KLGJ-së dhe KLP-së”.
“Ta konsolidojmë rritjen e pavarësisë së institucioneve tuaja. Të mos harrojmë që KLGJ ishte institucioni ku zhvilloheshin ankande për emërimet e gjyqtarëve. Falë Reformës në Drejtësi dhe integritetit të dy institucioneve ne kemi sot vendimmarrje të duhura si dhe masat e duhura ndaj kujtdo qytetari apo prokurori që dëmton integritetin e institucionit”, tha Balla.
Balla solli në vëmendje faktin se në vitin 2020, numri i personave nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ishte 746 persona nën hetim. “Nga këta 534 janë marrë të pandehur, pra 71.5% e rasteve. Ndërsa për 212 të tjerë nuk është pushuar hetimi për asnjërin”, tha Balla.
Kjo, sipas tij, “është një shifër shumë domethënëse, pasi kurrë më parë institucionet e prokurorisë në këtë vend nuk kishin një shifër që shkon përtej 70% persona të referuar”.
“Dikur niveli i personave të marrë nën hetim nuk e kalonte 10-11%, nga ata që ishin të referuar. Në punën e institucionit, ky është vetëm fillimi, ndaj askush mos të thotë se ky është niveli më i lartë që kemi arritur. Të mos harrojmë se kemi deficite në numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në dispozicion të shkaktuara nga Vetingu”, tha Balla.
Ndërkohë për sa i përket hetimit të politikanëve, Balla tha se “as Shqipëria nuk do të bëjë përjashtim nga vendet e tjera që kanë kaluar në këtë proces si Rumania e Kroacia”.
“Para 7-8 vitesh në Rumani ishin në proces procedimi ose të dënuar nga kryeministra te ministra, senatorë e deputetë në një numër të konsiderueshëm. Edhe në Shqipëri ka ish-ministra në dyert e gjykatave, ka Prokuror të Përgjithshëm të dënuar në një shkallë të gjyqësorit. Natyrshëm ky proces do të vijojë. Ne kemi garantuar gjënë më të rëndësishme, koha kur politika emëronte apo kishte kompetenca në emërime ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, tha Balla. /j.p/


























