Teksa mblodhi Asamblenë e PS në Cerrik, në kuadër të fazës përgatitore përpara fushatës elektorale, Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit Taulant Balla, garantoi fitore në zgjedhjet e 25 Prillit dhe pa dyshim lista të hapura ku qytetari zgjedh deputetin e tij:
“Unë jam i bindur që ne në Cerrik në 2021 do të marrim një rezultat shumë herë më të mirë se në 2017 për shumë e shumë arsye, sepse njerëzit dinë ta bëjnë diferencën mes nesh dhe atyre.
Në zgjedhjet e përgjithshme zgjidhet Kryeministri dhe kur flitet për Kryeministrin, ne kemi një kandidat, sikurse është Edi Rama, i cili është Kryeministri më i suksesshëm në 30 vite demokraci.
Në anën tjetër është Meta, Basha, ndoshta hyn edhe Saliu në lojë, për ne njësoj janë. Për shqiptarët të tre këta janë njësoj. Janë dështakë të sprovuar dhe janë një e keqe që duhet të shmanget vetëm me votë.
Dëgjojmë shpesh përfaqësues të PD që shpresojnë që listat nuk do të hapen. Listat janë hapur dhe në 25 Prill çdo qytetar, përveç votës për partinë, do të votojë dhe kandidatin që do dhe kjo i jep më shumë peshë votës së qytetarëve.”
Gjatë fjalës së tij Balla theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, duke shpresuar të mos përsëritet e njëjta situatë si në vitin 2019:
“Uroj që edhe opozita të mos kthehet përsëri në variantin e vitit 2019 sepse pjesëmarrja në zgjedhje është detyrim i çdo partie politike dhe shpresoj që të mos nxjerrë çdo lloj alibie për t’ju shmangur votës së zgjedhësve.”
Teksa përmendi ndryshimet që ka pësuar Cerriku në këto vite, Balla vuri në dukje se, jo çdo projekt i parashikuar, u përfundua, por tërmeti dhe pandemia i dhanë një goditje të rëndë buxhetit të shtetit, e megjithatë investimet e rëndësishme nuk u ndërprenë.
Për të vijuar këto reforma të rëndësishme në të gjithë vendin, PS në 25 Prill do të kërkojë një tjetër mandat për të bashkëqeverisur me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi.