ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur sot në Kuvend u shpreh se, “progresraporti i vitit 2021 është progresraporti më i mirë që ka pasur Shqipëria që nga dita e parë e inicimit të këtyre raporteve”.
“Dokumenti bazë, të cilit ne duhet t’i referohemi sot është progresraporti i publikuar javën e kaluar nga KE, i cili është punë e shumë ekspertëve të Komisionit dhe është një punë e detajuar dhe e ndërtuar mbi bazën e progresit vit pas viti”, tha Balla.
“Progresraporti i vitit 2021 është progres raporti më i mirë që ka pasur Shqipëria që nga dita e parë e inicimit të këtyre raporteve”, u shpreh Balla, i cili shtoi se, “ky është progresraporti i parë që thotë që Shqipëria ka vazhduar të konsolidojë të gjitha reformat që e çojnë Shqipërinë drejt anëtarësimit në familjen evropiane”.
“Ky është progresraporti që thotë që edhe pse përballë sfidave që i vuri përpara pandemia, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në”, u shpreh Balla.
“Ky është progresraporti i parë që konsolidohet ajo që ka qenë një prej sfidave tona prej ditës së parë kur erdhëm në qeverisjen e vendit, administrata publike. Ky është progresraporti i parë që të gjitha detyrat e lëna për sa i përket Reformës në Drejtësi skontohen si të arritura nga Shqipëria. Duke iu referuar edhe funksionalitetit të plotë brenda afatit të vendosur për sa i përket Gjykatës Kushtetuese. Ju dhe ne jemi dëshmitarë që ne tashmë kemi ndër detyrat tona të jetës parlamentare dhe adresimin e një sërë vendimesh nga Gjykata Kushtetuese, ku ndër to natyrshëm është edhe adresimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështje të sistemit zgjedhor”, tha Balla.
“Të gjithë e dimë që është në praktikën parlamentare e konsoliduar tashmë ndër vite, që me fillim e një sesioni apo legjislature të re parlamentare, Kuvendi ngre edhe një Komision të Posaçëm të reformës zgjedhore. Ku nga ana e kryetarit të mazhorancës, kryeministrit Rama, prej ditës së parë në këtë parlament, ju është bërë me dije oferta jonë për t’u ulur pa asnjë lloj paragjykimi, pa asnjë lloj kushti, qoftë për çështjen e reformës zgjedhore, sepse duhet ta dinë të gjithë që kemi plot çështje që duhet t’i adresojmë”, u shpreh Balla.
“Për PS-në, kur flitet për reformën zgjedhore një çështje ka qenë çështje themelore, që ka të bëjë me garantimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Ju nuk e dhatë dakordësinë tuaj për zgjedhjet e 25 prillit që edhe shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të votonin. Besoj për 25 prillin e 2025-ës ne do kemi kohën e mjaftueshme që ta adresojmë këtë çështje dhe që edhe shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të kenë mundësi që të marrin pjesë në vendimmarrjen më të rëndësishme që sovrani popull ia ka deleguar përfaqësuesve të vet në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Balla.
Për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD, Balla tha se, “ju keni propozuar një sërë çështjesh. E mirëpresim 100 % propozimin tuaj. Është një e drejtë që buron nga Kushtetuta. Janë 28 firma deputetësh, të cilët e vënë Kuvendin në punë për t’i analizuar. Të presim plotësimin e afatit të vendosur nga rregullorja për të hyrë në procedurë parlamentare”.
Balla tha se, “kemi dhe ne një propozim që dua ta qartësoj sot. Nuk është një propozim i yni si grup parlamentar. Ka qenë një rekomandim nga partnerët që monitorojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi, të cilët i janë drejtuar zyrtarisht kryetares së Kuvendit dhe që duke marrë shkas, duke bërë përllogaritjen e domosdoshme të kohës së nevojshme parlamentare. Sepse e dimë të gjithë që parlamenti ka procedura, kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, ato procedura marrin kohën e nevojshme të konsultimit publik, të konsultimit të gjithë atyre që kanë monitoruar procesin”.



























