ATSH-I. Vata/- Kryetari i Grupit Parlamentarë të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot “jemi shumë krenar që kemi çuar para reformën në drejtësi dhe gjitha ata që kishin aludimet se çfarë po bën SPAK apo drejtësia e re, ky është vetëm fillimi i një procesi”.

Në një prononcim për mediat pas takimit më Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Balla foli në lidhje me operacionet e fundit nga SPAK dhe arrestimin e disa zyrtarëve të lartë.

Balla tha se “ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në Drejtësi. Ka qenë bindja jonë se institucionet e reja të drejtësisë duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe shpërdorojnë financat publike”.

“PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje të gjithë forcave politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tusha nuk është më pjesë e PS-së, ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tij ligjore, dhe ndërkohë edhe Voda. Këtë standard e kemi vendosur prej kohësh dhe PS nuk ka asnjë përgjegjësi për çdo person i cili këtë betejë e ka personale me drejtësinë. Ju jeni në dijeni që këto ditë kanë qenë edhe dy kryetar të tjerë bashkish, nga LSI dhe PD që janë në hesape të drejtësisë dhe dallimi bëhet shumë thjesht. Reagimi i PS do jetë i njëjtë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë një mandat përfaqësimi nga PS. Përgjegjësia është vetëm personale. Kemi besuar dhe besojmë dhe jemi shumë krenar që kemi çuar përpara reformën në drejtësi dhe të gjitha ata që kishin aludime se çfarë po bën SPAK apo si po reagon drejtësia e re, ky është vetëm fillimi i një procesi goditje të çdo lloj fenomeni dhe kryeministri ka qenë i qartë në këtë aspekt”, tha ai.

Po ashtu, Balla foli edhe për takim me Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ai tha se “Shqipëria dhe Mali i Zi kanë projekte të përbashkëta në kuadër të IPA dhe numri i aplikuesve në kuadër të këtyre projekteve është ende larg të pritshmërive tona të përbashkëta, por shpresoj që ky bashkëpunim të rritet edhe në muajt dhe në vitet në vijim. Ajo që është e rëndësishme është se janë projekte të mëdha infrastrukturore. Shqipëria ka aplikuar dhe pret mbështetjen e BE-së dhe të Bankës Europine për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucione të tjera financuese për projektin e madh Hani i Hotit-Durrës dhe natyrshëm dhe Korridorin Blu që lidh gjithë bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe që përfundon në Igumenicë. Po ashtu ndërtimi i një ure që lidh Velipojën dhe bregun e Ulqinit, do të ishte natyrshëm një investim i rëndësishme që do t’i jepte një zhvillim të mëtejshëm turizmit”.

Po ashtu, Balla tha se “kemi biseduar dhe për bashkëpunimin ndërparlamentar dhe natyrshëm, me fillimin e ligjislaturës së re në shtator duhet të rrisim bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencave sepse kemi plotë çështje që ngjajnë. Nëse ne në Shqipëri kemi patur debate përsa i përket reformës zgjedhore, e njëjta situatë ndodh edhe në Malin e Zi, kështu që kemi shumë çështje për të ndarë me njëri-tjetrin. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që si Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një kontribut në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë, dhe në këtë këndvështrim forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, ndërtimi i sa më shumë urave komunikimi. Deri në fund të këtij muaj do të kemi inaugurimin edhe një pikë të re kufitare me Malin e Zi dhe kjo tregon një rritje të intensitetit të bashkëpunimit mes dy qeverive tona dhe kjo çon në një proces sa më të gjerë integrimi brenda rajonit tonë”.