ATSH/ -Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla duke folur në Kuvend për zgjedhjet e 25 prillit, tha se, “procedurat ankimore që subjektet zgjedhore po kryejnë po marrin kohën e tyre dhe besoj që koha në dispozicion është pa limit dhe falë Zotit çdo parti politike nuk do të ketë më gojë në fund të këtij procesi për të mos pranuar verdiktin e qytetarëve shqiptarë”.

“Njësoj siç njëzëri kemi komunikuar përpara publikut të dielën në darkë, të gjithë përfaqësuesit më të lartë të partive më të mëdha politike në këtë vend, nga Edi Rama, tek Lulzim Basha, tek Monika Kryemadhi, tek Presidenti i Republikës, që verdikti i qytetarëve shqiptarë është brenda në kuti dhe ta respektojmë verdiktin e qytetarëve”, tha Balla gjatë seancës plenare.

“Tashmë jo vetëm që verdikti ka dalë, tashmë jo vetëm që për të gjitha ankimimet kutitë janë hapur, janë rinumëruar dhe është dëshmuar shumë qartë që nuk ka qoftë edhe një ndryshim të vogël që mund të çojë në ndryshim rezultati dhe ky është një standard i madh, për të cilin unë dhe kolegët e mi në vitin 2009 kemi zhvilluar një betejë shumë të madhe thjesht dhe vetëm për t’ia arritur që në Shqipëri, kushdo që ka dëshirë të rinumërojë votat, apo të rishikojë proces-verbalet apo të rishikojë rezultatin zgjedhor, këtë e ka”, u shpreh Balla.

Balla theksoi se, “në fund të procesit të ankimimeve, është në dinjitetin politik të secilit prej garuesve në këto zgjedhje, që jo vetëm ta njohin rezultatin, por menjëherë në shtator, sapo legjislatura e re të fillojë punë, të punojmë të gjithë së bashku për vijimin e reformës zgjedhore të lënë në mes, edhe për shkak të marrëveshjes së 5 qershorit. Ku natyrshëm, edhe pse ne kemi vendosur një dispozitë aty përsa i përket zgjedhjeve vendore të vitit 2023, për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, të paktën në nivelin e parë dhe të dytë. Pra në komisionet e QV dhe në komisionet e ZAZ. Sepse besoj se të gjithë biem dakord që ky është një hap që Shqipëria duhet ta hedhë domosdoshmërisht”.

Gjithashtu, Balla theksoi se synimi në mandatin e tretë është dixhitalizimi i plotë i të gjitha shërbimeve dhe licencimeve.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku u diskutua projektligji “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”’, Balla tha se, “ky ligj dhe të tjera akte ligjore që qeveria ka sjellë në përmirësimin e marrëdhënies me shtetit dhe privatit kur bie fjala për licencimin e aktiviteteve tregtare, është në vijim të një procesi të vazhdueshëm të lehtësimit të zhvillimit të aktiviteteve private, të zgjerimit të mundësive të këtyre aktiviteteve private për fusha dhe sektorë të cilët teknologjia i ka sjellë si të domosdoshme”.

Dhe natyrshëm, shtoi Balla, “sot 8 vite më pas nga viti 2013 kur ne morëm përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, dua t’ju kujtoj që shqiptarët në vitin 2013 mbanin radhë për të marrë një certifikatë familjare”.

“Sot jemi në kushtet që plot 400 shërbime si kjo e certifikatës, nuk ke më nevojë të presësh në radhë, nuk ke më nevojë të shkosh në zyrat e shtetit, por këto shërbime i përfiton drejtpërsëdrejti nga shërbimet që jepen online”, theksoi Balla.

“Sfida jonë në këtë mandat të ri është thellimi i kësaj reforme që duhet të synojë një dixhitalizim të plotë të të gjitha shërbimeve dhe licencimeve sepse ka një aksiomë në betejën me korrupsionin. Sa më pak kontakt mes individëve aq më pak korrupsion ka”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se, “për PS-në, edhe në këtë mandat të ri beteja jonë kryesore është për të çliruar zyrat e shtetit nga ata individë të korruptuar, të cilët marrin para’, marrin ryshfet, në shkëmbim të një shërbimi publik. Dhe ky mandat i tretë duhet të jetë natyrshëm një mandat me një goditje shumë herë më të fortë të çdo zyrtaruci të pandreqshëm, i cili nuk e bën shërbimin publik siç duhet”.

“Kundërshtari më i madh i PS-së edhe në këto zgjedhje nuk ishte as Monika dhe as Luli. Kundërshtari ynë më i madh ishin ata zyrtarë shteti, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre nuk ia kanë dhënë shërbimet si duhet qytetarëve shqiptarë”, tha Balla.

Ai theksoi se nevojitet, “transformim i plotë i administratës së shtetit në shërbim të plotë dhe transparent ndaj qytetarëve dhe garantimi që çdo qindarkë publike që investohet, të investohet me cilësi”.

“Ne duhet të rishikojmë gjatë mandatit tonë të ri gjithë procedurat e tenderave publikë në këtë vend për të garantuar që çdo qindarkë të shkojë tek investimi publik”, tha Balla