ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se presidenti Ilir Meta ka propozuar datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në bashkitë që kanë mbetur pa kryetarë
Në një prononcim për mediet pas takimit, Balla theksoi se “jemi ftuar nga presidenti sot për një takim konsultativ lidhur me vakancat prej shumë kohësh në shumë bashki të vendit. I thashë presidentit se ky institucion duhet ta kishte ushtruar këtë detyrim ligjor që në njoftimin më të parë për krijimin e vakancave duke filluar nga më e para e krijuar në gusht të vitit 2019 në bashkinë e Shkodrës”.
“Respekti ndaj kushtetutës është detyrim nga të gjitha institucionet. Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar brenda afatit 45-ditor. Dhe për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligji dhe kushtetuta. Nga presidenti jemi informuar edhe me institucionet përgjegjëse për zhvillim. Presidenti mendon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën 6 Mars”, tha Balla.
Balla tha se do të respektojnë kushtetutën duke mos e kundërshtuar datën e propozuar nga Meta ndërsa shtoi se ai e ka kuptuar që ka shkelur kushtetutën.
“Për ne kushtetuta dhe ligji janë të panegociueshme. Unë e thashë zgjedhjet në Shkodër duhet të ishin zhvilluar në shtator të vitit 2019. Unë kam ardhur për këtë çështje dhe dua të jem korrekt për rëndësinë që ka ky moment kur ndodhemi sot. Pas disa shkeljeve, Gjykata Kushtetuese ka folur dhe kjo çështje ka marrë fund’”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “në këtë moment pas vendimit të qartë të Gjykatës Kushtetuese të gjithë biem dakord që ne kemi qenë në anën e duhur të historisë dhe të marrëdhënies me Kushtetutën dhe besoj se Presidenti i Republikës e ka kuptuar që ka qenë në krahun e kundërt të respektimit të Kushtetutës. Të jesh dakord me Kushtetutën dhe ligjin është detyrim për çdo institucion. Kush e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin deri më sot besoj e kanë kuptuar që kanë qenë gabim dhe po rindreqet me kostot përkatëse. Në këtë aspekt nuk hyra fare në këtë pjesë. Kuvendi i Shqipërisë është investuar në procese të rivendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë”.
“Të mos harrojmë që ka pasur një përpjekje për të penguar qytetarët shqiptarë të shprehin me votë vullnetin e tyre në 30 qershor, ajo që është shumë e rëndësishme është që ligjshmëria dhe kushtetueshmëria mbi të gjitha është orientimi ynë dhe pozicioni ynë në të gjitha rastet”, theksoi Balla.
Balla tha se “për zgjedhjet vendore konsultimi është bërë me kryetarët e grupeve parlamentare. Kjo ka qenë traditë shumë vjeçare”.



























