ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ka një vëllim tregtar në prodhime bujqësore që shkon në afër 100 milionë euro nga rreth 60 milionë euro që ka qenë 1 vit më parë.
Rama mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të Panairit të Verërave në Beograd, ku për herë të parë prodhuesit bëhen bashkë për të promovuar verërat e rajonit, krahas prodhuesve të mirënjohur botërisht.
Kryeministri theksoi se janë rreth 36 milionë euro më shumë se një vit më parë dhe potenciali është shumë i madh pasi këto janë hapat e parë të një rritje të vazhdueshme.
Rama informoi se “në panair janë 22 prodhues të verës nga Shqipëria”, ndërsa shtoi se në Shqipëri çdo vit rritet me 10% sipërfaqja e vreshtave.
Kryeministri shprehu bindjen se ky panair, edicioni i parë i të cilit mbahet në Beograd por do të spostohet nga njëri kryeqytet në tjetrin, do të nxisë edhe shumë të tjerë të përfshihen në aktivitete.
Po ashtu, Rama theksoi se eksportet bujqësore shqiptare me Serbinë janë rritur vitin e fundit me rreth 30% dhe po kështu edhe me Maqedoninë e Veriut, pak më pak por rreth 30%.
“Të gjitha këto të dhëna dhe plot të tjera ne na mjaftojnë ta çojmë para këtë nismë si një nismë që nuk është e jona por për njerëzit. I takon njerëzve, të gjithë atyre që prodhojnë, eksportojnë, importojnë, ofrojnë shërbime dhe zhvillojnë industrinë tonë turistike, vizitojnë vendet tona. Dhe u takon të gjithë të rinjve të vendeve tona të cilëve shpresoj që kjo rrugë e hapur t’ju pëlqejë shumë më tepër se rrugët e mbyllura të së shkuarës dhe të kontribuojnë që ta çojnë këtë rrugë gjithmonë e më shumë para”, tha Kryeministri Rama.



























