Rruga Ura e Çerenecit – Zgosht, që lidh Bulqizën me Librazhdin, rreth 47 km e gjatë do të jetë gati pranverën e ardhshme.
Kjo ndërhyrje do të sjellë një ndikim direkt pozitiv në zhvillimin ekonomik, bujqësor e turistik duke përmirësuar mundësinë e hyrje-daljeve për komunitetin, fermerët dhe ndërmarrje të tjera ekonomike, për turistë drejt destinacioneve në Shqipërinë lindore, duke përfshirë zona të reja turistike si Parku Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pa nga afër ecurinë e punimeve, teksa theksoi rëndësinë e këtij segmenti rrugor.
“Me planin e ri për hapjen e një pike kufitare të re në Urën e Bushtricës, që do të jetë me tunel, për ndërtimin e të cilit po punojnë si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut, pjesë e Korridorit 8, do të jetë shumë e lehtë për banorët e të gjitha zonave nga të cilat kalon kjo rrugë për të lëvizur me shpejt”, tha Balluku.
Balluku bëri të ditur se për riparimin e këtij segmenti rrugor janë zbatuar standarde të larta ndërtimi, duke pasur parasysh edhe kushtet e vështira atmosferike në këtë zonë.
“Nuk mjafton vetëm ndërtimi i rrugëve, por duhen ndërtuar me standarde të larta, pasi problematikat që hasen me mirëmbajtjen janë ato që krijojnë edhe kostot më të larta”, nënvizoi Balluku.
Me përfundimin e rrugës, lidhja e Bulqizës me Librazhdin bëhet për 40 minuta.
Nga ana tjetër kreu i FSHZH, Dritan Agolli bëri të ditur që segmenti rrugor nga Arrazi deri në Lurë pritet të përfundojë në fillim të verës që vjen.
Për zv/kryeministren Balluku, ndërtimi i këtij segmenti është mjaft i rëndësishëm, duke qenë se Lura tashmë është kthyer në një nga zonat turistike më të rëndësishme sidomos për turistë të huaj.
“Rruga ka qenë jo vetëm e amortizuar por edhe e rrezikshme. Ndërtimi i kësaj rruge po pritet me padurim jo vetëm për banorët, por edhe investitorët që po ndërtojnë bujtina në atë zonë.
“Ne shpresojmë të përfundojmë në fillim të verës së ardhshme segmentin nga Peshkopia që të çon në Lurë, për të vijuar më pas me Unazën që shkon deri në Rrëshen”, deklaroi Balluku.atsh