ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti ditën e sotme organizimin e një takimi tematik në Lezhë, kushtuar bashkëpunimit ndërinstitucional për shkeljet e mjedisit.

Në takim merrnin pjesë autoritetet qendrore dhe vendore, sikurse Policia e Shtetit, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, Bashkia dhe Prefekti i Lezhës, si dhe zyrtarë të Prokurorisë së Lezhës.

Po ashtu, ishte e pranishme në takim edhe zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory.

“Në përputhje me mandatin tonë, ne po punojmë së bashku me agjencitë shtetërore për t’i luftuar shkeljet mjedisore duke ndjekur një qasje ndërinstitucionale. Qëllimi është që të gjitha institucionet përkatëse të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën: duke ndarë informacione, bashkuar resurset, ndërtuar besimin e ndërsjellë e fuqizuar ofrimin e ekspertizës, qoftë në rang vendi ashtu edhe në rang bashkish”, tha Pasztory gjatë fjalës së mbajtur në këtë veprimtari.

Takimi u organizua në kuadrin e mbështetjes së Prezencës për autoritetet qendrore dhe vendore për mbushjen e boshllëqeve të identifikuara gjatë vitit të kaluar në këtë fushë. Prezenca do të vazhdojë të mundësojë në javët dhe muajt e ardhshëm mbajtjen e takimeve teknike në nivelin vendor me synimin për të siguruar trajtimin e duhur të çështjeve të qeverisjes mjedisore në vend. /j.p/