ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga janari i vitit të ardhshëm do të fillojnë të mbyllen sportelet për shërbimet publike.

Nga Berati ku u prezantua ligji i ri për Bashkëqeverisjen Rama theksoi se, “arsyeja e këtyre takimeve është sensibilizmi i të gjithë qytetarëve për dy risi të rëndësishme të cilat sot, janë një mundësi shumë e madhe, e re për çdo qytetar, që të marrë shërbimet në një kohë të shpejtë, pa radha, pa zvarritje, pa dalë nga shtëpia fare, në pjesën dërrmuese të tyre, por duke përdorur smartphone apo kompjuterin më të afërt dhe nga ana tjetër për të vënë menjëherë në lëvizje një mekanizëm të ri ligjor që është bashkëqeverisja, e cila nga një proces i ndërtuar dhe i çuar përpara në mandatin e shkuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në marrjen e shërbimeve, është transformuar në një ligj që do të hyjë në fuqi së shpejti, sapo të shkojë në parlament pas refuzimit absurd që i bëri presidenti”.

Sa i përket shërbimeve, Rama bëri me dije se, “sot janë mbi 1 mijë shërbime që jepen drejtpërdrejt online dhe të gjithë qytetarët përmes platformës e-Albania kanë mundësi t’i aksesojnë këto shërbime pa dalë fare nga shtëpia. Edhe për vetë Kadastrën, që është një nga shërbimet më të kërkuara dhe më të përfolura dhe jo pa të drejtë më të përfolura, pasi në shumë vite ka qenë një problem shumë i madh. Sot nuk është e nevojshme të shkohet në sportel, por mund të bëhet aplikimi drejtpërdrejt nga telefoni, ose nga kompjuteri dhe pastaj ASHK është e detyruar që në afat të lajmërojë për dhënien e dokumentacionit”.

“Aspekti tjetër brenda gjithë këtij sistemi të ri që është gati, është që nuk është më e nevojshme që qytetarët të shkojnë në shumë zyra për të mbushur dosjen me dokumente që kërkohen  nga një shërbim i  caktuar. Pra nëse deri sot për marrë një licencë apo për të marrë një dokument, autorizim, vërtetim e çfarëdo qoftë, të thoshin duhet të sjellësh me vete, këtë, këtë, këtë, e të gjitha këto kërkonin të shkoje në disa zyra, kjo nuk është më e nevojshme. Mjafton të bëhet aplikimi përmes telefonit apo kompjuterit dhe të gjitha këto dokumente nga zyrat e shtetit i merr për ty ai shërbim, të cilit t’i i kërkon dokumentin. Kjo do të thotë transformim rrënjësor i qytetarit me shërbimet, me dokumente të shtetit dhe praktikisht do të thotë një mundësi për çdo qytetar që t’i japë fund vetë të gjitha vështirësive të deritanishme dhe që të mos ketë asnjë nevojë që të fusë dorën në xhep për të paguar, ryshfet, për të lehtësuar rrugën e marrjes së një shërbimi”, tha Rama.

Në momentin kur ndodh që zyra përkatëse nuk përgjigjet në afat, Rama u shpreh se, “e para sistemi i jep mundësi vetë Agjencisë dhe platformës E- Albania që të konstatojë vonesat, por nga ana tjetër çdo qytetar është absolutisht, përsëri në mundësinë që t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes dhe të kërkojë menjëherë llogari dhe të marrë përsëri shërbim”.

Rama nënvizoi se, “të gjitha këto kanë vlerë dhe për një arsye tjetër, të rëndësishme, për të cilën bëjmë edhe gjithë këtë seri takimesh sensibilizuese, sepse duke filluar nga  janari i vitit të ardhshëm ne do të fillojmë t’i mbyllim sportelet. Pra nuk do ketë më sportele fizike. Nuk do jetë më e mundur që të shkohet nëpër sportele që të mbahet radhë, etj, pasi eksperienca jonë, por edhe eksperiencat e disa vendeve të tjera që kanë pasur shumë sukses në këto procese tregojnë që sado që shërbimet janë aty në dispozicion dhe mund të merren nga telefoni mund të merren nga kompjuteri, shumë qytetarë preferojnë të vazhdojnë të shkojnë në sportele. Dhe kjo mund të marrë vite. Ne nuk kemi pse të vazhdojmë të kemi këtë problematikë kaq të madhe midis shtetit dhe qytetarit dhe të vazhdojmë të faturojmë një kosto kaq të madhe nervash, kohe po e dhe lekësh, që do të thotë, faktikisht korrupsion tek qytetarët, ndërkohë që shërbimet janë aty”.

Kështu, shtoi Rama, “e njëjta gjë që bëmë edhe në qeveri, edhe në tryezën e qeverisë mes anëtarëve të kabinetit. Ndërkohë që ne e kishim sistemin gati prej disa kohësh për të shmangur shkëmbimet e letrave nuk bëhej, pasi inercia ishte shumë më e fortë sesa realiteti i ri dhe u detyrua që ta bëjmë në mënyrë drastike. Një ditë të bukur u ndalua futja e letrave në kryeministri dhe që nga ajo ditë filloi menjëherë të funksiononte sistemi pa letra, me qarkullim elektronik të dokumenteve. Kështu që edhe në këtë aspekt besoj që mbyllja e sporteleve do të jetë një çlirim shumë i madh dhe të gjithë ata që nëpër sportele janë mësuar prej vitesh të rinë të shohin njerëzit nga xhepat apo të turpërojnë shtetin duke ikur nga vendi i punës duke pirë kafe, apo duke i kthyer kurrizin njerëzve që rrinë e presin atje, apo duke komunikuar në mënyrë të papërshtatshme, nuk do të kenë më qytetarë përballë, por do të kenë kompjuterin përballë dhe do bëjnë atë punë që deri dje ua kanë kërkuar qytetarëve, që të shkojnë zyrë më zyrë për të mbledhur letra për të bërë dosjet e tyre. pra të gjitha dosjet për qytetarët do të bëhen nga këta punonjës dhe të gjithë punonjësit e sporteleve do të jenë të dedikuar për të bërë sistemin të funksionojë nga mbrapa ekranit të telefonit. Ndërkohë që në ekranin e telefonit, në ekranin e kompjuterit qytetari ka marrëdhënien me shtetin, aplikon për një shërbim, merr përgjigje dhe në këtë fazë një pjesë e madhe e aplikimeve e marrin përgjigjen drejtpërdrejtë në telefon apo në kompjuter, një pjesë tjetër akoma nuk e marrin drejtpërdrejt, por marrin vetëm njoftimin për të marrë dokumentet”.

“Për shembull, nëse sot mund të aplikosh lirisht për titullin e pronësisë së në Kadastër, nuk e merr titullin e pronësisë në telefon apo kompjuter por duhet të shkosh në bazë të një lajmërimi, për ta marrë atë që kërkon. Puna që po bëjmë aktualisht, është pikërisht ta mbyllim këtë cikël, dhe jo vetëm aplikimi, por edhe marrja e dokumentit të bëhet online. Ndërkohë që mbylljen e sporteleve të Kadastrës, marrja e dokumenteve do të bëhet me postë dhe për këtë arsye ne sportelet e Kadastrës do t’i mbyllim në mënyrë pak më graduale. Faktikisht edhe në nja 2-3 pika që kemi bërë mbylljen e sporteleve, puna funksionon më së miri dhe qytetarët nuk kanë nevojë të përplasen gjatë gjithë kohës korridoreve me lloj lloj njerëzish, të shkojnë të kërkojnë sekser e kështu me radhë”, tha Rama.

“Është një transformim epokal. Thjesht ne duhet ta informojmë në mënyrë të vazhdueshme publikun për faktin që duhet t’i kthehet ekranit të telefonit, duhet t’i kthehet ekranit të kompjuterit dhe duhet ta harrojë sportelin dhe gjithë marrëdhënia mes tij dhe shtetit është një marrëdhënie që ka korsinë e aplikimit online. dhe në rast se nuk e merr përgjigjen e vetë në kohë, ka korsinë e ankimimit online dhe me ligjin e ri të bashkëqeverisjes është një mekanizëm ligjor i detyrueshëm për shtetin që çdo ankesë të qytetarëve ta marrë ta trajtojë dhe ta adresojë në kohë reale. Pra faktikisht shteti bëhet ai miku që shumëkush rri e kërkon për të zgjidhur një problem në zyrat shtetit”, theksoi Rama. /j.p/