Bashkia Elbasan ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikave mjedisore, duke e kthyer monitorimin e ndotjes në një proces të mirëfilltë shkencor, të matshëm dhe të bazuar në evidencë. Për herë të parë në nivel vendor, po zbatohet metodologjia ndërkombëtare e OSPAR Commission, duke garantuar standarde të larta në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave.

Monitorimi po zhvillohet përgjatë Lumi Shkumbin, ku ekipet në terren po identifikojnë në mënyrë të detajuar burimet reale të ndotjes. Çdo mbetje plastike e evidentuar nuk konsiderohet thjesht si mbeturinë, por si një e dhënë konkrete shkencore që ndihmon në hartimin e masave të drejtpërdrejta dhe efektive ndaj ndotësve.

I pranishëm në nisjen e kësaj nisme ishte edhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e këtij modeli të ri monitorimi.

“Sjellja jonë është një model. Sot kemi filluar një model të ri të monitorimit të brigjeve tona lumore, pikërisht për të identifikuar arsyet kryesore të ndotjes që kemi dhe për t’i konstatuar ato në pika të caktuara në çdo kohë.

Kjo do të na mundësojë monitorimin e vazhdueshëm, marrjen e masave përkatëse për evidentimin dhe goditjen e personave që ndotin mjedisin dhe lumenjtë tanë.”

Ky proces shërben njëkohësisht si një laborator i hapur mjedisor dhe si një platformë edukimi për të rinjtë. Nxënës dhe studentë janë angazhuar aktivisht në matjen, analizimin dhe interpretimin e të dhënave, duke u bërë pjesë e drejtpërdrejtë e zgjidhjeve të qëndrueshme për qytetin e tyre. Përfshirja e brezit të ri forcon kulturën e përgjegjësisë mjedisore dhe ndërton kapacitete afatgjata për komunitetin.

Nisma zbatohet në kuadër të programit BeMed+, me mbështetjen e Beyond Plastic Med, IUCN dhe Surfrider Foundation Europe, si dhe organizatës INCA Albania.

Përmes kësaj nisme, Bashkia Elbasan konfirmon angazhimin e saj të qartë për politika mjedisore të bazuara në të dhëna dhe për veprime konkrete në mbrojtje të mjedisit, duke e vendosur qytetin në një rrugë të qëndrueshme zhvillimi të gjelbër.