Bashkia Elbasan ka nisur një fushatë intensive për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanaleve vaditëse në të gjitha Njësitë Administrative, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës bujqësore dhe lehtësimit të punës për fermerët në këtë periudhë të ngarkuar të vitit.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka deklaruar se ekipet e Punëve Publike janë çdo ditë në terren, duke punuar me ritme të larta për të garantuar që sistemi i ujitjes të funksionojë në mënyrë efikase.

“Ekipet tona të punës janë të angazhuara çdo ditë në pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve vaditëse, me qëllim mbështetjen direkte të fermerëve. Kjo është një periudhë e rëndësishme për bujqësinë, dhe ne po tregojmë një vëmendje të shtuar ndaj nevojave të bujqve tanë,” u shpreh Llatja.

Sipas tij, këto ndërhyrje janë jo vetëm të domosdoshme për garantimin e furnizimit me ujë të tokave bujqësore, por edhe pjesë e një strategjie më afatgjatë për përmirësimin e kushteve të punës në fshat dhe rritjen e produktivitetit në sektorin bujqësor.

Kanalet vaditëse janë një hallkë kyçe në zinxhirin e prodhimit bujqësor, dhe pastrimi i tyre ndihmon në parandalimin e përmbytjeve, në rritjen e cilësisë së tokës dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve ujore.

Nga verifikimet në terren rezulton se ndërhyrjet janë duke u kryer në disa zona njëkohësisht, përfshirë njësitë e Bradasheshit, Papërit, Shirgjanit, Treganit dhe Gjergjanit. Banorët dhe fermerët vendas kanë mirëpritur punimet, duke i cilësuar ato si një ndihmë konkrete në përballimin e sfidave sezonale.

“Prej vitesh kishim vështirësi me vaditjen, sidomos në muajt e nxehtë të verës. Tani që kanalet janë pastruar dhe funksionojnë më mirë, kemi më shumë siguri për prodhimin. Është hera e parë që ndjejmë se po merret vërtetë seriozisht bujqësia në fshatin tonë,” thonë fermeret nga zonat ku është punuar.

Bashkia Elbasan pritet të vijojë me këtë ritëm ndërhyrjesh gjatë gjithë muajve të verës, për të siguruar që sezoni bujqësor të mos pësojë pengesa për shkak të mungesës së infrastrukturës vaditëse.

Edlira XHERRI Elbasaninews.al